DHEMBSHURIA E PROFETIT (alejhi selam) PËR UMETIN E TIJ

Mos i humb

I gjithë lavdërimi i takon Allahut të Lartësuar! Vetëm Atë e lavdërojmë dhe vetëm prej Tij kërkojmë ndihmë dhe falje! Allahut i kërkojmë ndihmë nga e sherret e vetëve tona dhe nga të këqijat e veprave tona! Atë që Allahu e udhëzon s’ka kush e lajthit, ndërsa atë që Allahu e ka humbur s’ka kush e qet në dritë! Paqja dhe përshëndetjet e Allahut qofshin mbi Muhamedin, shokët dhe familjen e tij, i cili e përcolli me besnikërinë më të madhe mesazhin e Tij dhe këshilloi për Të krijesat e Tij!

Allahu i Lartmadhërishëm ka thënë në Librin e Tij Fisnik:

“Tashmë ju ka ardhur një i Dërguar nga gjiri juaj. Atij i vjen rëndë për vuajtjet tuaja, jua dëshiron të mirën me gjithë zemër që ju të shkoni rrugës së drejtë dhe është i butë e i mëshirshëm me besimtarët. Nëse ata largohen (nga e vërteta), thuaj: “Më mjafton Allahu, s’ka zot tjetër përveç Tij. Unë mbështetem tek Ai që është Zot i Fronit të Madh!” Teube, 128-129

Ndërsa nëna e besimtarëve Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të! ) thotë:

“Kur njëherë pashë Profetin të disponuar i thashë: “O i dërguar i Allahut! Lute Allahun për mua!” Ai tha: “O Allah! Falja Aishes mëkatet e saj të kaluara dhe ato të ardhshmet, të fshehtat dhe të dukshmet!” Aishja (radijallahu anha!) qeshi derisa koka e saj i ra në prehrin e të dërguarit të Allahut prej së qeshurës. Ndërsa ai ia ktheu: “A të gëzoi lutja ime oj Aishe?” Ajo tha: “E si të mos më pëlqej lutja jote!” Tha: “Vallahi, kjo është lutja ime për umetin tim që e bëj në çdo namaz!”

***

Kur Allahu tha “nga gjiri juaj”, kjo do të thotë se ju ka ardhur një profet nga vetë ju populli arab, e njihni atë, e dini lindjen dhe jetën e tij të deritanishme, e dini moralin dhe sjelljen e tij, e njihni besnikërinë dhe virtytet e tij. Andaj, ai do të jetë argument kundër jush ose në favorin tuaj Ditën e Gjykimit. Ndërsa një pjesë tjetër e komentuesve të Kuranit thanë se me Fjalën e Allahut “nga gjiri juaj” është për qëllim lloji njerëzor. Pra, ju ka ardhur një profet prej njerëzve e jo prej melekëve. Ngjashëm sikurse ka thënë në një ajet tjetër: “E çfarë tjetër i pengoi njerëzit të besonin, kur atyre u erdhi besimi, veçse fjala e tyre “Vallë Allahu paska dërguar profet njeri?!” Thuaj: “Sikur të kishte në tokë melekë që lëvizin qetë nëpër tokë, Ne do t’u dërgonim atyre nga qielli një engjëll si të dërguar!” Isra, 94-95

Atij i vjen rëndë për vuajtjet tuaja, …”

E si mos të jetë kështu kur ai ishte profeti i cili u brengos edhe për çështje shumë më imëta sesa vuajtjet, për umetin e tij?! … Ai ishte profeti i cili, si pasojë brengës që kishte për umetin e tij, kur një ditë ishte duke menduar për Qaben, shprehu brengën e tij për ditën kur gjeneratat që do të vijnë pas tij do të kenë dëshirë ta dinë se çfarë ka brenda mureve të Qabes por nuk do të kenë mundësi ta shohin këtë.

E si të mos jetë kështu kur ai u dërgua mëshirë për botët?!

E si të mos jetë kështu kur ai është i cili në Ditën e Gjykimit do të thërrasë: “ummeti im! ummeti im?!”

E si të mos jetë kështu kur në shumë hadithe është përcjellë sesi ai u tërhoq nga ngarkimi i besimtarëve me detyra të rënda, sikurse në rastin e misvakut, të cilin nuk e bëri obligim për shkak të frikës se mos do t’ua rëndonte adhurimin e Allahut umetit të tij?!

Kur u bë obligim haxhi, njëri prej sahabëve u ngrit në këmbë dhe tha: “A për çdo vit o i dërguar i Allahut?” me ç’rast profeti ﷺ heshti, e fill pasi ai mbaroi ia ktheu: “Sikur të thosha “po”, do të ju bëhej obligim çdo vit, e pastaj s’do kishit pasur mundësi ta vepronit.”

E si të mos jetë kështu kur në vendin e quajtur Taif, në kufi me Mekën, kur banorët e Taifit e gjuajtën me gurë dhe ia plagosën këmbët e tij të ndershme, … e kur pastaj atij i erdhi meleku i kodrave, dhe i tha se a pajtohet që t’i bashkonte dy kodrat, të Mekës dhe të Taifit, e t’i shkatërronte të gjithë ata?, … ai ﷺ prapë, duke u treguar i dhembshëm për llojin njerëzor tha: “JO, se mos Allahu do të nxjerrë prej pasardhësve të tyre njerëz që e adhurojnë Allahun,” … dhe ashtu edhe ndodhi, … prej palcës së atyre njerëzve dolën pasardhës që e adhuruan Allahun.

Allahumme Sali ala Muhammed!

“… jua dëshiron të mirën me gjithë zemër …”

Ai dëshiron që umeti i tij të besojë dhe të shpëtojë prej Zjarrit e të futet në Xhennet. Profeti ynë është ai i cili tha se: “Jam dërguar sikurse një njeri i cili qëndron pranë një zjarri, dhe kur afrohen insektet, duke e menduar se është dritë, unë mundohem t’i largojë ato nga zjarri, ndërsa ato vazhdimisht tentojnë të futen në të dhe të digjen,…” Ja pra, kështu profeti ﷺ është dërguar për t’i penguar njerëzit që të bien në zjarr, përkundër zellit të tyre për të vrapuar drejt tij.

Është po ky ai profet i cili, kur u njoftua se njëri prej bijve të jehudëve ishte i sëmurë, shkoi për ta vizituar; Kur e pa në gjendje të rëndë shëndetësore i tha: “Dëshmo se s’ka zot tjetër përveç Allahut! Ai e shikoi babanë e tij, e ai ia ktheu: “Pasoje Ebul-Kasimin (Muhamedin ﷺ), me ç’rast çuni e tha shahadetin dhe vdiq si musliman. Profeti ﷺ nga gëzimi doli prej shtëpisë së tij duke e falënderuar Allahun që e shpëtoi atë prej Zjarrit. Allahumme Sali ala Muhammed!

“… i butë e i mëshirshëm me besimtarët.”

Thonë dijetarët, Allahu i Lartësuar për askënd tjetër nuk i ka përdorë dy prej Emrave të Tij Fisnikë, përveç për profetin tonë ﷺ; Po pra, Allahu kishte thënë për Veten e Tij: të vërtetë, Allahu është Përdëllimtar dhe i Mëshirshëm me njerëzit!” Bekare, 143

Profeti ﷺ e luti Allahun e Lartësuar për umetin e tij me tri lutje, dy prej të cilave Allahu ia pranoi, ndërsa të tretën ia refuzoi. Ai e luti Allahun që të mos dërgojë një skamje dhe varfëri të thellë e cila do ta kaplonte umetin në tërësi, dhe iu pranua; Ai e luti Allahun që mos t’ia mundësojë armikut triumfin ndaj umetit Islam në tërësi, dhe iu pranua; Por kur kërkoi prej Zotit të tij që ta ruajë umetin e tij prej përçarjes me njëri tjetrin, kjo nuk iu pranua. Pra kjo ishte brenga e tij, e luste Allahun vazhdimisht që umetit të tij t’i largohej çdo brengë dhe vështirësi në këtë dhe në botën tjetër.

E sa i përket hadithit të Aishes (Allahu qoftë i kënaqur me të!): “Vallahi, kjo është lutja ime për umetin tim që e bëj në çdo namaz!” … kjo me të vërtetë është vulosje e asaj që Allahu i Lartësuar na tregoi për të në Kuran, i butë dhe i mëshirshëm ndaj besimtarëve. E jo vetëm ky hadith, por këtë e dëshmon edhe hadithi tjetër i cili tregon se profeti ﷺ e kishte ruajtur lutjen e tij te pranuar, për dallim prej gjithë profetëve tjerë të mëparshëm të cilët e kishin shpenzuar lutjen e tyre në këtë dynja, pejgamberi ynë ﷺ e ka ruajtur këtë lutje për ta lutur Allahun me të në Ditën e Gjykimit për umetin e tij.

Ky pra ishte Muhamed Mustafaja ﷺ, mëshira të cilën Mëshiruesi e dërgoi për njerëzit në përgjithësi, e për umetin e Muhamedit ﷺ në veçanti, … Ky pra ishte Muhamedi ﷺ i cili e dëshmoi se është më i mëshirshëm për ty sesa ti për veten tënde. Për Allahun, më trego se nëse ty do të ofrohej mundësia që ta lusësh Allahun për veten tënde me një lutje të pranuar, a do të kishe ditur ta lusje Atë me këtë që e zgjodhi profeti yt për ty?! … Allahumme Sali ala Muhammed!

Andaj mendo edhe njëherë në veten tënde, çfarë ke bërë për ta ndihmuar profetin tënd?

Çfarë ke bërë për atë që ka bërë kaq shumë për ty? Çfarë ke bërë për ta ndihmuar këtë fe me të cilën ai u dërgua? Dhe mos harro asnjëherë se Allahu I lartësuar thotë në Librin më fisnik:

Thuaj: Nëse pretendoni se e doni Allahun, atëherë pasomëni mua që Allahu t’ju dojë!

Dhe në fund, të gjitha lavdërimet i përkasin Allahut Zotit të botëve!

Hoxhë Hekuran Helshani / albislam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit