Dialogu dhe taksa – flasin Hashim Thaçi, Fatmir Limaj, Albin Kurti e Lutfi Hazri

Mos i humb

Kryeministri Ramush Haradinaj, përkundër presioneve nga faktori vendor dhe ndërkombëtar, është shfaqur i prerë sa i përket pezullimit të taksës ndaj prodhimeve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, kërkesë kjo veçanërisht e SHBA-vë dhe që me këmbëngulje për insistohet edhe nga partneri i madh në qeveri, Partia Demokratike e Kosovës.

Sot, në paraqitjen e tij para mediave presidenti Hashim Thaçi sërish ka kërkuar që të ecet përpara me dialog dhe të pezullohet taksa.

“Opsioni i ruajtjes së status-quos midis Kosovës dhe Serbisë e cila është mbështetur nga disa është treguar i gabuar dhe i paqëndrueshëm, pasi është kthim prapa. Në 12 muajt e fundit ka regres mes Kosovës dhe Serbisë. Përvoja e viteve të fundit ka forcuar bindjen time që ka ardhur koha ta përfundojmë marrëveshjen historike mes Kosovës dhe Serbisë”, u shpreh ai.

Ai gjithashtu komentoi dhe njëherë letrën e presidentit të SHBA-së, Donald Trump ku tha se: “Letra e presidentit Trump ishte konfirmim i drejtpërdrejtë historik për të ndihmuar dy shtete në arritjen e një marrëveshje me njohje reciproke, pasi që sipas tij, njohja eksplicite e dy shteteve është çelësi i dy shteteve.

Por, ndryshe mendojnë palët e tjera të përfshira në këtë dialog.

Një prej kryenegociatorëvë, zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, njëherësh bashkëdrejtues i Delegacionit Shtetëror për Bisedime me Serbinë ka thënë se Qeveria e Kosovës ka bërë përpjekje serioze që për herë të parë faktori politik të bashkohet dhe të ndërtohet një konsensus sa më i gjerë në dialog.

Limaj tha se prej fillimit përpjekja e kësaj Qeverie ka qenë t’i jepet mundësi konsensusit. Ai shtoi se ideja dhe detyra e të gjithëve është ta kthejë në binarë këtë proces. Limaj deklaroi se Kosova nuk është në presion të kohës, por është në presion të arritjes së një marrëveshjeje të mirë. Sipas Limajt, askush nuk ka të drejtë të luajë me sovranitetin e vendit.

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka thënë se spektri politik duhet të bashkohet rreth asaj se çfarë dëshiron Kosova karshi Serbisë. Ai shtoi se askush nuk ka të drejtë t’i falë Serbisë tokën e Kosovës.

“As dëshmorët ndër varre po u ngritën nuk kanë drejtë të falin tokë të Kosovës e lëre më të gjallët”, ka thënë Kurti.

Një pikëpamje më ndryshe ka shfaqur nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri. Sipas tij, çështja e dialogut me Serbinë nuk mund të zgjidhet me pulitka të shpejta dhe me inate politike.

Haziri ka thënë se LDK kërkon rishikim të plotë të strukturës së dialogut e cila krijon mundësi që legjitimiteti të krijohet në Kuvend e jo diku tjetër.

“Legjitimiteti dhe dialogu është e vetmja mënyrë për të zgjidhur probleme madhore, e jo vetëm dialogun me Serbinë por edhe çështje të tjera”, deklaroi Haziri.

Derisa vazhdojnë shpalosjet e qëndrimeve nga më të ndryshmet për çështjen e vazhdimit të dialogut me Serbinë, i cili është i kushtëzuar nga ana e Bashkimit Evropian me tërheqjen e taksës, në opinion kanë filluar të qarkullojnë zëra se PDK ka filluar kontaktet me parti të caktuara për riformatim të qeverisë aktuale. Njohës të çështjeve politike nuk e kanë përjashtuar as krijimin e një qeverie teknike që do t’i merrte përsipër përgjegjësitë në situatën në të cilën ndodhet aktualisht Kosova, ide kjo e promovuar së fundmi edhe nga PSD.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit