Ballina Islam Dikur agjëronin fshehtas, po sot…? Nga: Muhamed Sytari

Dikur agjëronin fshehtas, po sot…? Nga: Muhamed Sytari

5
0
SHPËRNDAJE

Nana Bafte..!

Nana… Asnjëherë nuk jam ulur të shkruaj për Nanën, edhe pse kujtimet e saj në memorien time janë të rezervuara, mbajnë erën e një kohe ndryshe nga koha e jonë, me njerëz ndryshe nga njerëzit e këtij zamani…

Nana Bafte! I largët kujtimi i saj, sa largësia e gjurmëve të papërsëritshme që lënë në vetëdije, gdhendjet e natyrshme të formës së tabanit..!

Subhanallah, herë-herë më bëhet se kam harruar t’ia thërras edhe emrin, ndonëse imazhi i syve dhe pamjes së saj, (që s’i përshkruaj dot nga prezenca dhe natyrshmëria e një Nane sojnike muslimane shkodrane), akoma më shfaqen, sa herë thërras kujtimet, a largohem nga bota reale drejt qoshkut tim të preferuar të fëmijërisë në bahçen e Gjyshërve të mi…

Ma kujtoi sot, krejt papritur një zotëri i panjohur, që teksa u prezantua, në mesin e dy bashkëmoshatarëve të tij, miq të mi, zgjoi në shpirtin tim prekjet e respektit dhe dashnisë së largët, impulset e së cilës, u shfaqën vetëtimthi…

– “Kam punuar me Baften. E mbante Ramazanin fshehtas… Ne e dinim, por nuk flisnim…”,- kujtoi i moshuari, që në kohët e shkuara kishte punuar si drejtues sektori në një nga repartet e fabrikës së Tisazhit…

Tash, në prag të Ramazanit, sikur më kishte munguar kjo ndjesi e papërshkrueshme, që dikush të më zgjonte kujtimet e të shkuarve të mi agjërues, në kushtet e sistemit të faraonit të kuq!

Agjërim fshehtas e me frikë..! Kush mund ta dijë shpërblimin e atij agjërimi, përveç Atij, për hatrin e të Cilit, Nana e Gjyshi, e krejt brezi i përkushtuar i sojit të tyre, (sot, pjesë e kujtimeve e historisë), praktikonin në heshtje, me shumë përulje e dashni ndaj “të Madhit Zot”!

Viteve që pasuan ndryshimet e sistemit tek ne, e kam pyetur gjyshin se sa besimtare ishte Nana, (që nuk jeton më prej vitit 1987)… Më përgjigjej se nuk kishte lënë Ramazan pa ninú, edhe atëherë, kur të besoje e të praktikoje besimin tënd ishte e ndaluar në vendin më të çuditshëm të globit, në Shqipërinë ateiste..!?

Sot, bekimet që shoqërojnë kujtimin e të mirëve të shkuar, i dhanë një Dritë të shumëdëshiruar ditës dhe përshpirtjes sime, në përmendjen e Nanës Bafte, prezenca e së cilës pushon diku në memorien e të përkushtuarve të heshtur…

Zot, mëshiroje..!

Muhamed Bardhyl Sytari
9.5.2017

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here