Dimitrov: Nëse nuk marrim datë në tetor, atëherë do të jetë fundi i perspektivës europiane

Mos i humb

Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov, tha se është shumë me rëndësi që Bashkimi Evropian (BE) të dëshmojë se është serioz kur është në pyetje perspektiva euroatlantike e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Dimitrov realizoi takim me homologun e tij nga Republika e Sllovakisë, Miroslav Lajçak, i cili njëherësh është edhe kryesues aktual i OSBE-së, pas çka u mbajt një konferencë e përbashkët për media.

Ministri Dimitrov theksoi se Maqedonia e Veriut ka plotësuar kriteret dhe ka zgjidhur çështje shumë të ndërlikuara, duke theksuar se “para nesh është një shans i përbashkët për arritjen e një suksesi të madh”.

“Nëse më pyesni për përshtypjet e konkluzioneve të mbrëmshme, nuk do të jemi të kënaqur pa arritur vendimi në tetor. Mendoj se suksesi jonë do të jetë sinjal i rëndësishëm për tërë rajonin, se porta evropiane është e hapur dhe se ekziston vizioni evropian për Ballkanin Perëndimor. Nëse një gjë e tillë nuk ndodh, atëherë ky do të jetë fundi i kësaj perspektive”, tha Dimitrov.

Ai theksoi se në muajt e ardhshëm barrën do ta kenë vendet anëtare të BE-së, duke shtuar se presidenti i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker, eurokomisari Johanes Hahn dhe kancelarja gjermane Angela Merkel, kanë thënë se Maqedonia e Veriut i ka plotësuar të gjitha kërkesat.

Ministri i Jashtëm sllovak, uroi Maqedoninë e Veriut për arritjen e Marrëveshjes së Prespës me Greqinë me të cilën u zgjodh kontesti i emrit, duke e quajtur atë si “arritje madhështore”.

Lajçak tha se dje ka marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të BE-së, ku siç u shpreh ai, u konstatua se Maqedonia e Veriut meriton të fillojë bisedimet për anëtarësim në BE.

“Do të doja që t’u sjell lajme të mira për hapjen e bisedimeve për anëtarësim. Kjo, siç e dini, nuk ndodhi. Por, do të doja të them se nuk ka arsye që ju të jeni të zhgënjyer. Ky ishte një prolongim për shkaqe teknike, por në takim kishte shumë energji pozitive”, tha Lajçak, duke shtuar se pret që në tetor të vendoset për hapjen e bisedimeve.

Ministri i Jashtëm sllovak po qëndron në vizitë dyditore në Maqedoninë e Veriut, ku do të takojë krerët shtetërorë.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit