Dimitrov: Nuk kërkojmë shpërblime të pamerituara

Mos i humb

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, sot ka folur para anëtarëve të Komisionit për Politikë të Jashtme në Parlamentin Europian (AFET), në axhendën e së cilës është shqyrtimi i parë i projekt-rezolutës së Komisionit Europian për Maqedoninë.

Siç njofton Ministria e Jashtme e Maqedonisë, para anëtarëve të AFET-it, ministri Dimitrov foli për zhvillimet e fundit në Maqedoni, para referendumit të 30 shtatorit, ku qytetarët do të votojnë nëse mbështesin marrëveshjen e vendit me Greqinë.

“Politikanët mund të bëjnë një karrierë të tërë dhe të jetojnë në mosmarrëveshje të pazgjidhur, por mund edhe të angazhohen dhe ta zgjidhin atë, duke mbrojtur më të rëndësishmen për të dyja palët, që qytetarët e të dy vendeve të jetojnë më mirë”, tha Dimitrov.

Shefi i diplomacisë maqedonase në adresimin e tij iu referua edhe rrjedhës së zbatimit të reformave kyçe në vend dhe përgatitjeve për procesin e shqyrtimit me Komisionin Europian. Ai theksoi efektivitetin e procesit të negociatave në lëvizjet reformuese dhe rëndësinë e njohjes së përparimeve të Maqedonisë, duke marrë parasysh kontekstin rajonal dhe gjeopolitik.

“Nuk kërkojmë shkurtesa apo shpërblime të pamerituara. Por, ne do të dëshironim histori suksesi dhe mundësi që të vlerësohen dhe të përdoren siç duhet, veçanërisht në një kohë kur rajonit, por edhe më gjerë, i nevojiten shembuj të tillë”, u shpreh Dimitrov.

Nga Ministria e Jashtme theksojnë se gjatë kohës së diskutimit, eurodeputetët shprehën mbështetje dhe përgëzime për suksesin diplomatik në zgjidhjen e mosmarrëveshjes me Greqinë.

Dimitrov realizoi disa takime me anëtarë të Parlementit Europian, të cilët njoftohet se kanë shprehur mbështetje të fortë për drejtimin e lëvizjes së Maqedonisë.

Referendumi i 30 shtatorit është për Marrëveshjen mes Maqedonisë dhe Greqisë, e cila parasheh ndryshimin e emrit të shtetit në Republika e Maqedonisë së Veriut, që paraqet kushtin kryesor për anëtarësimin e vendit në NATO dhe çeljen e negociatave me BE-në./Rtv Islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit