Drafti që Rama ka çuar në kuvend për teatrin: sa i vështirë bëhet ndërtimi i të riut

Mos i humb

Ka rinisur sërish beteja artistiko-politike për Teatrin Kombëtar, por në fakt zhurma e hapur ka lënë në hije nismën ligjore që qeveria e Edi Ramës e ka çuar në parlament.

Qeveria nuk ia ka lënë as Erion Veliajt të drejtën e ndërtimit të teatrit, apo vetëm me VKM, por e ka dërguar draftin në Kuvend. Aty parashikohet që Kuvendi të ligjërojë ngritjen e një komisioni negocimi ndërmjet shtetit dhe një kompanie private për të ndërtuar Teatrin e ri Kombëtar në vendin ku aktualisht ndodhet i vjetri.

Komisioni i negocimit krijohet me vendim të Këshillit të Ministrave dhe kryesohet nga Kryetari i Bashkisë Tiranë ose përfaqësues i autorizuar prej tij, dhe në përbërje të tij ka përfaqësues të Ministrisë së Drejtesisë, Ministrisë së Financës dhe Ekonomisë, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministrisë së Kulturës, Avokaturës së Shtetit dhe Teatrit Kombëtar.

Komisioni i negocimit mund të thërrasë edhe përfaqësues nga institucione të tjera si dhe ekspertë të fushës që gjykohen të nevojshëm.

Nuk mund të marrin pjesë në komisionin e negocimit personat që kanë konflikt interesi me partnerin privat, sipas kuptimit të ligjit “Për konfliktin e interesit”.

Sipas draftit, komisioni i negocimit të kontratës vlerëson dhe negocion me partnerin privat shoqërinë “Fusha sh.p.k”, propozimin për të ndërtuar godinën e re të teatrit dhe merr në këmbim truallin në zemër të Tiranës dhe lejen për kullat.

Komisioni i negocimit të kontratës autorizohet për vlerësimin mbi tjetërsimin e pronave nga shteti te privati.

“Në rast të një procedure të suksesshme për negocimin dhe nënshkrimin e kontratës me partnerin privat, komisioni i negocimit do të vendosë si kusht në kontratë edhe detyrimin e partnerit privat, për të paguar vlerën përkatëse të paguar nga pronari shtet, Bashkia e Tiranës, në rastin e parashikimit të pikës 3 të këtij neni dhe/ose kryerjes së ekspertizave të ndryshme, nëpërmjet ekspertëve privat të fushave përkatëse”, theksohet në draft.

Pra shteti i fal tokën privatit, i cili ndërton teatrin me paratë e veta, si dhe paguan të gjitha shpenzimet gjatë rrugës.

Në fund të negocimit, lidhet kontrata për nisjen e punimeve të teatrit të ri dhe kullës.

Pra procesi për teatrin e ri ka tre të reja: i pari është ligj që mund të debatohet gjerësisht para Kuvendit, në Kuvend dhe në fund kërkon vota të deputetëve.

Mund të kontestohet në Kushtetuese, edhe nëse kjo e fundit, edhe pse s’ka anëtarë e fut në proces, projekti për teatrin e ri bllokohet deri në ribërjen e Kushtetueses, pra deri në kalenda.

E dyta është se ka një proces negocimi me disa faza, i cili është me disa hapa dhe natyrisht mund të provokojë debat dhe diskutime mbi projektin, kullat, pra mbi argumente dhe jo retorikë.

Në fund, kontrata duhet të kalojë edhe në Këshillin Bashkiak edhe në qeveri; që do të thotë sërish objekt për politikë të nivelit të lartë, nëse palët përgatiten për debat real.

Aktualisht po bëhet vetëm retorikë që të mos prishet godina aktuale dhe të mos ndërtohet kompleksi i ri i godinave rreth teatrit.

Ngjan gjithashtu dhe si përplasje mes interesave të ndërtuesve të ndryshëm që normalisht nuk duan që një kompani të marrë gjithë këtë “kafshatë” të madhe përsipër dhe të mos ndahet me “llokma”.

Po të ishte për debat mbi teatrin, projektligji ofron disa rrugë jo thjesht për debat, por për një stinë ekselente debatesh, natyrisht pa patetizëm dhe fjalë të mëdha. /tesheshi.com/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit