Drecun: Zgjidhja për Kosovën mund të jetë ndryshe prej rezolutës 1244

Mos i humb

Kryetari i Komisionit parlamentar për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, Milovan Drecun, tha se deklarata e përfaqësueses së lartë të BE-së Federica Mogherini, para Këshillit të Sigurimit të OKB-së lidhur me marrëveshjen e mundshme përfundimtare Prishtinë-Beograd, fuqizon pozicionin e Serbisë në bisedime.

“Deklarata e Mogherinit se marrëveshjen përfundimtare Kosovë-Serbi duhet ta mbështesë Këshilli i Sigurimit i OKB-së fuqizon pozicionin e Serbisë pasi në këtë proces kyçen të paktën pesë vendeve. Këtë herë në lojë hyjnë Rusia dhe Kina dhe kjo e fuqizon pozicionin tonë”, tha Drecun për Radio Televizionin e Serbisë.

Sipas tij, një deklaratë e tillë nënkupton se vazhdimi i bisedimeve ka kaluar nga niveli teknik në bisedime për statusin e Kosovës.

Megjithatë ai pret që zgjidhja eventuale të jetë ndryshe prej rezolutës 1244 të KS të OKB-së, por përsëriti se Serbia do të vazhdojë bisedimet vetëm pasi Prishtina të heqë tarifën ndaj mallrave serbe.

Shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini, tha të martën se një marrëveshje përfundimtare duhet të jetë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe do të duhet të mbështetet nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së”, duke shtuar se, për arritjen e këtij qëllimi, është e gatshme të intensifikojë bisedimet me anëtarët e Këshillit të Sigurimit, shkruan REL. Autoritetet në Prishtinë kanë deklaruar se rezultat i një marrëveshje të mundshme Kosovë-Serbi do të jetë njohja e ndërsjellë dhe anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit