Duel në distancë/ Erdogan për Macron: Franca po drejtohet nga ‘një i paaftë’

Mos i humb

Presidenti turk, Rexhep Tayyip Erdogan, tha sot se Franca po drejtohet nga një president “i paaftë”.

Erdogan dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron kanë shkëmbyer fyerje gjatë muajve të kaluar pasi kanë mosmarrëveshje për një sërë çështjesh, duke filluar nga Libia dhe pjesë të Lindjes së Mesme deri në mosmarrëveshjen detare të Turqisë me Greqinë.

Macron e zemëroi Ankaranë javën e kaluar kur kritikoi mënyrën sesi Turqia po qeveriset nga Erdogani, duke thënë se ky vend “meritonte diçka tjetër”.

Bashkimi Evropian do të diskutojë javën e ardhshme për mundësinë e sanksioneve ndaj Turqisë, pas dërgimit të anijeve të saj në ujërat mesdhetare për të kërkuar naftë dhe gaz.

Mosmarrëveshjet mes Turqisë dhe Francës u përshkallëzuan më shumë, pasi Franca muajin e kaluar dërgoi anije detare në Mesdheun lindor për të ndihmuar anijet luftarake greke.

Erdogan akuzoi BE-në se ka zbatuar “standarde të dyfishta kundër Turqisë për një kohë të gjatë”. Ai tha në një takim virtual të partisë së tij në pushtet se “logjika e Macronit, duke fajësuar Turqinë për problemet rajonale, nuk funksionoi”.

Armiqësia midis dy liderëve është rritur që kur Macron paralajmëroi se mungesa e përgjigjes së NATO-s ndaj një operacioni turk në Sirinë veriore tregoi se aleanca po kalonte një “vdekje të trurit”.

Lidhur me Libinë, mosmarrëveshjet mes dy vendeve qëndrojnë në faktin se Turqia mbështet qeverinë e njohur nga OKB-ja në Libi. Ka dyshime se Franca favorizon një qeveri paralele dhe liderin e saj, gjeneralin, Khalifa Haftar, por zyrtarisht e mohon këtë.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit