E fejuara e Khashoggit të vrarë, Cengiz vizitë në PE

Mos i humb

Hatice Cengiz, e fejuara e gazetarit të vrarë saudit, Jamal Khashoggi ka deklaruar se vizita e saj në Parlamentin Europian (PE) është për të përmbushur “detyrën njerëzore”.

Cengiz, bashkë me kryetarin e Nënkomisionit të Parlamentit Europian për të Drejtat e Njeriut, Pier Antonio Panzeri kanë bërë disa deklarata për media në ndërtesën e PE-së në Bruksel.

Në fjalën e saj Cengiz tha se shpreson që vizita e saj në Bruksel të sigurojë kontribute pozitive për “sanksione në të ardhmen” ndaj Arabisë Saudite. “Ndodhem në PE për të përmbushur detyrën njerëzore. Ndodhem këtu jo vetëm si e fejuara e Jamal Khashoggit, por për vlerat që ai mbronte, për vlerat që dëshironte gjatë gjithë jetës së tij për njerëzit në botën arabe dhe veçanërisht për njerëzit në vendin e tij”, tha Cengiz.

Ndërsa Panzeri duke vënë theksin se PE-ja është e vendosur për zbardhjen e të gjitha të vërtetave në lidhje me Khashoggin dhe mbajtjen e çështjes në rend dite. Ai thekson se “PE dhe Komiteti për të drejtat e njeriut nuk janë të kënaqur nga përparimet e arritura deri më tani”.

Pasi shprehu mbështetjen e tyre për themelimin e një komiteti të pavarur hetimor, Panzeri tha se “Nuk do të lejojmë që Arabia Saudite të mos japë llogari për vrasjen e Khashoggit. Unë jam i vetëdijshëm se Europa ndonjëherë vepron në mënyrë të paqëndrueshme në çështjen e tregtisë dhe shitjes së armëve për këtë vend. Por, ne duhet të jemi të vendosur për mbrojtjen e të drejtave të njeriut”.

Khashoggi u vra brutalisht në Konsullatën Saudite në Stamboll pak pasi hyri në objektin diplomatik më 2 tetor të vitit të kaluar. Pas shpjegimeve të ndryshme kontradiktore, Rijadi pranoi se ai u vra brenda ndërtesës së konsullatës, duke thënë se vrasja ishte një operacion jashtë kompetencave dhe dijenisë së qendrës.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit