E vërteta e kontenstimit të vettingut nga opozita dhe shansi u humbur në 2016-ën

Mos i humb

Vettingu po zbulohet çdo ditë se është një sistem apo mekanizëm mjaft i ashpër, draconian që nuk po fal askënd, e çdokush që ka problem në pasuri është ndëshkuar egërsisht.

Megjithatë, pas vendimit për gjyqtarin Artan Lazaj, i cili ka pasur një perceptim publik si një jurist me integritet, u shtuan edhe akuzat ndaj anëtarëve të trupave gjykuese të vettingut.

Ndërkaq, opozita PD-LSI i cilëson hapur gjyqtarët e vettingut si njerëz të Edi Ramës dhe mekanizma të mazhorancës socialiste.

Por ç’ka ndodhur në fakt dhe si funksionon vettingu?

Për të ardhur në këtë pikë mjafton t’i rikthehemi vitit 2016 kur reforma në drejtësi u votua me 140 vota në Kuvend nga të gjitha partitë, me ndërhyrjen e fortë të SHBA-së.

Por pas kësaj procesi i zbatimit të saj u vonua tmerrësisht. PD-ja dërgoi 6 ligjet e reformës në Kushtetuese së bashku me ligjin e vettingut.

Ndërhyri sërish Donald Lu dhe procesi u zhbllokua edhe me ndërhyrjen e Komisionit të Venecias, ndërhyrje që opozita e cilësoi jo vetëm fitore të saj por edhe rrëzim të draftit të mazhorancës, gjë në fakt nuk ishte kështu.

Por më pas procesi u bllokua në emërimin e njerëzve që do të drejtojnë gjyqësorin e ri.

Aktualisht ende nuk janë ngritur KLGJ dhe KLP-ja, të cilët varen nga vettingu.

Përzgjedhjen e kandidaturave e bën KED, organ që koordinohet nga Kuvendi, përkatësisht atëherë nga Ilir Meta, ku si anëtare në këtë komision u emërua nga ish-kryeprokurori Adriatik Llalla, e besuara e tij Rovena Gashi.

Ambasadori amerikan Donald Lu doli në një konferencë publike ku e akuzoi hapur Llallën si pengues për reformën. Pas kësaj deklarate, kryeprokurorit dhe disa emrave të tjerë të drejtësisë iu refuzua viza amerikane.

Por sërish procesi nuk u zhbllokua, pasi ndodhi çadra që në fakt mbajti peng ngritjen e komisioneve parlamentare për të zgjedhur anëtarët e trupave të vettingut. Sipas marrëveshjes Lu-Basha, opozita dhe mazhoranca do të kenë të njëjtën peshë për të zgjedhur anëtarët e trupave të vettingut.

Ky ngërç u zgjidh më 17 maj me marrëveshjen Rama-Basha, por sërish procesi ngeci: nuk po dërgoheshin aplikime për në organet e vettingut. Opozita këshilloi juristët e afilacionit të djathtë që të aplikonin në këto organe, por duhet thënë se për një kohë të gjatë pati një pauzë që ngjante me një bojkotim të aplikimeve për organet e vettingut. Mjaft juristë shpreheshin të frikësuar se mos konfliktoheshin me palët.

Atëherë doli sërish Donald Lu dhe Romana Vllahutin që publikisht inkurajuan aplikimet për në organet e vettingut. Lu deklaroi hapur se reforma në drejtësi nuk do të ketë më kthim.

Në këtë kohë nisën kërkesat që duhet thënë se erdhën nga juristë që më shumë kishte lidhje me të majtën.

Ndaj duket hapur se organet e vettingut nuk kanë besimin e opozitës dhe këtë e kanë pranuar edhe ndërkombëtarët. Por realisht ka qenë më shumë një zgjedhje e PD-së e LSI-së për ta bojkotuar, pasi ata që në fillim edhe pse e votuan reformën për drejtësi, nuk kanë qenë dakord me të, gjë që edhe i konfliktoi me Donald Lu-në, të cilin për mbi dy vjet e kanë sulmuar egërsisht, sidomos pas zgjedhjes së Donald Trump si president i SHBA-së.

Nëse opozita do të ishte kyçur në proces që në fillim, edhe duke mbështetur aplikimin e njerëzve të saj, ndoshta sot jo vetëm që do të kishim një vetting më të pranuar por edhe më të shpejtë.

Por ndërkombëtarët kanë zgjedhur më mirë një vetting jo krejt të pranueshëm nga palët e funksional, sesa një ngecje të procesit. /tesheshi.com/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit