Edhe Kosova tarifë për rrugën, por do të jetë simbolike

Mos i humb

Radio Evropa e Lirë shkruan se edhe Kosova do të vendosë një tarifë si ajo e rrugës së Kombit, për pjesën e autostradës së Kosovës.

Ministria e Infrastrukturës kosovare është në procedurë të fizibilitetit, por që është thënë se kjo tarifë do jetë simbolike dhe do përputhet me kushtet ekonomike të qytetarëve të Kosovës.

Vendosja e tarifës për qarkullim në autostradën “Rruga e Kombit” e cila po hasë në kundërshtime të shumta, sipas ekspertëve të fushave ekonomike dhe përfaqësuesve të bizneseve, do të ndikojë në përkeqësimin e marrëdhënieve tregtare ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Naim Gashi tha për Radion Evropa e Lirë se tarifa rrugore është një goditje shumë e rëndë e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve.

“Vëllimi tregtar ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë është dhjetë herë më i ulët sesa me Serbinë dhe vendosja e taksës rrugore do ta reduktojë edhe më shumë këtë vëllim tregtarë. Qeveria e Shqipërisë po merr veprime konkrete të cilat po e frenojnë rritjen e vëllimit tregtare dhe bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve”, tha Gashi.

Sipas vendimit, i cili pritet të hyjë në fuqi së shpejti, të gjithë ata që udhëtojnë në “Rrugën e Kombit”, në pjesën e Shqipërisë, do të paguajnë tarifë nga 2.5 euro për motorët, 5 euro për veturat dhe deri në 25 euro për kamionët e tonazhit të rëndë.

Të dhënat zyrtarë tregojnë se vlera e importit të produkteve të cilat importohen nga Shqipëria në vit tejkalon shumën prej 99 milionë euro, derisa vlera e produkteve të Kosovës që eksportohen në Shqipëri është vetëm 15 milionë euro.

Berat Rukiqi nga Oda Ekonomike e Kosovës tha për Radion Evropa e Lirë se do të duhej të kishte taksë, por ajo të jetë e arsyeshme, pasi që tarifa e caktuar do të ketë ndikim negativ në aspektin ekonomik.

“Një vendim i cili kur është marrë nuk ka trajtuar shumë aspekte. Ka qenë jotransparent dhe ka një strukturë të taksave që janë mjaft të larta, qoftë për qytetarët, qoftë për biznesin. Pjesa më e madhe që preken nga kjo taksë janë qytetarët e Kosovës. Nëse kjo taksë mbetet dhe nuk ka alternativë së paku do t’i bëjë produktet më pak konkurruese. Por, unë mendoj se ende ka hapësirë që Qeveria e Shqipërisë të gjejë një modalitet që nuk i dëmton as qytetarët e as bizneset”, tha Rukiqi.

Sipas të dhënave të Policisë kufitare të Kosovës dërguar Radios Evropa e Lirë, vetëm në vitin 2017 në kufirin me Shqipëri janë regjistruar mbi 2 milionë hyrje dhe dalje të automjeteve, kamionëve dhe autobusëve.

Top Channel

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit