“Ekonomia e Kosovës do të shënojë rënie prej 2 deri në 4 për qind për shkak të COVID-19”

Mos i humb

Prishtinë

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) konsideron se pandemia e koronavirusit (COVID-19) e përhapur edhe në Kosovë do të ndikojë në rënien e të hyrave si dhe investimeve në fuqinë blerëse në vend.

Një gjë e tillë u konstatua në konferencën për media të BQK-së të mbajtur sot me temë ndikimin e pandemisë në ekonominë e vendit.

Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti deklaroi se koronavirusi ka ndikuar në ndërprerjen e shumë sektorëve ekonomik duke lënë bizneset pa të hyra “derisa detyrimet e këtyre bizneseve janë aktive gjë që mund t’i shtyjë ato drejt dështimit”.

Kanal tjetër i goditjes së ekonomisë së Kosovës nga pandemia, sipas Mehmetit, mund të jetë edhe faktori i jashtëm, përfshirë remitancat.

“Kosova ka një varësi mjaft të lartë nga remitancat duke pranuar një shumë për afërsisht mbi 10 për qind në raport me GDP-në, në bazë vjetore. Rënia e aktivitetit ekonomik në vendet e zhvilluara padyshim pritet që të ndikojë edhe në zvogëlimin e këtij burimi shumë të rëndësishëm për financimin e ekonomisë dhe konsumit të vendit”, tha Mehmeti.

Ai bëri të ditur se masat që BQK ka ndërmarrë për shpëtimin e ekonomisë nga situata e krijuar, janë sigurimi i një sistemi efikas të pagesave, përfshirë edhe komunat e izoluara. Ai theksoi se në Kosovë ka një buxhet të mirë me paratë të gatshme ndërsa bankat kanë likuiditet të mjaftueshëm dhe nuk do të ketë problem me parat të gatshme, të cilat gjithashtu edhe janë dezinfektuar duke e ditur që ka transfero të shumëfishta.

Sipas Mehmetit, siç po ndodh në nivel global, “edhe në Kosovë, ekonomia do të ketë rënie”.

“Edhe në pikëpamjen tonë, në vitin 2020 ekonomisë së Kosovës do t’i ndërpritet ekspansioni në rritje që ka pasur në vazhdimësi me rritje mesatare në baza vjetore me 3.6 për qind dhe do të shënojë një rënie të rritjes reale ekonomike prej 2 deri në 4 për qind”, tha Mehmeti i cili shtoi se këto të dhëna duhet ende të merren me rezervë për shkak se është ende fillimi i përballjes me pandeminë.

Vetëm gjatë dy viteve të fundit 2018 dhe 2019, Kosova, sipas BQK-së ka pranuar remitanca nga diaspora në secilin vit nga rreth 750 milionë euro.

Ndërsa po sipas BQK-së, Gjermania është shteti nga ku kosovarët dërgojnë më së shumti para, përcjellë nga Zvicra, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Austria, e të tjerë.

Buxheti i Kosovës për vitin 2020, i votuar më 15 mars në Kuvendin e Kosovës, parasheh shpenzime prej 2 miliardë e 357 milionë euro.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit