Emigrantët palestinezë paguajnë çmimin e konfliktit mes regjimit të Asadit dhe DEASH-it

Mos i humb

Forcat e regjimit të Bashar al-Asadit kryejnë sulme intensive ndaj kampit Yermuk, në jug të kryeqytetit Damask, përkatësisht ndaj pjesës e cila ndodhet nën kontrollin e organizatës terroriste DEASH, ku banojnë emigrantët palestinezë.

Pas marrjes nën kontroll të Gutës Lindore, forcat e regjimit të enjten e kaluar nisën sulme intensive ndaj kampit Yermuk-it, i cili është pothuajse plotësisht nën kontroll të organizatës terroriste DEASH. Më parë nuk ishte arritur në ndonjë rezultat nga negociatat e regjimit me DEASH-in për të evakuuar rajonin nën rrethim.

Sipas informacioneve të marra nga gazetarët e AA-së nga burimet lokale, regjimi sirian i Asadit gjatë pesë ditëve ka kryer më shumë se 300 sulme ajrore në rajon.

Burimet e njëjta thonë se regjimi i Asadit dhe grupet e mbështetura nga Irani të cilët nuk lejojnë evakuimin e civilëve, kanë formuar një korridor për kalimin e pjesëtarëve të DEASH-it në fushat shkretëtirore në Homs, përmes qytetit Suvejda në jug të Damaskut.

Sipas të dhënave të Grupit të Veprimit për Palestinën, në kampin Yermuk ku janë hedhur 336 bomba fuçi dhe 1.150 raketa, që nga fillimi i operacionit e deri më tani kanë humbur jetën të paktën 20 palestinezë.

– Më shumë se 100 mijë civilë në kampin Yermuk mbeten nën rrethim

Kampi Yermuk, i cili ndodhet 9 kilometra në jug të Damaskut dhe ku në masë të madhe jetojnë emigrantët palestinezë, është një vendbanim i cili zë një fushë prej 16 kilometra katrorësh.

Pjesa perëndimore prej 8 kilometër katrorësh e rajonit është nën kontroll të organizatës terroriste DEASH, ndërsa pjesa lindore prej 7 kilometër katrorësh është nën kontroll të Ushtrisë së Lirë Siriane (ULS).

Ndërsa pjesa veriore prej 1 kilometër katrorësh, e cila ka mbetur në mes të regjimit të Asadit dhe të DEASH-it, kontrollohet nga njëri prej grupeve kundër regjimit Heyet Tahrir Sham.

Në rajonin Yermuk, i cili për pesë vite ndodhet nën rrethimin e regjimit të Asadit dhe grupeve mbështetëse të Iranit, përkatësisht në pjesën që ndodhet nën kontrollin e DEASH-it, jetojnë 2.500 familje, shumica e të cilëve emigrantë palestinezë.

Nga ana tjetër, në një fushë të vogël nën rrethim, që kontrollohet nga ULS, jetojnë rreth 100 mijë civilë.

“Ata duan që ne të lëshojmë shtëpitë tona. Nuk duam të largohemi. Ne i kemi rritur fëmijët tanë këtu në mënyrë që të kthehen në Palestinë. U mësuam me çdo gjë, me uri e etje, si dhe të qëndrojmë pa energji elektrike. Në të kaluarën këtu jetonin 750 mijë persona. Deri në vitin 2010 rajoni jonë me tregti dhe prodhimtari ishte konkurrent i Damaskut”, tha palestinezja nga Gaza, Um Fida për AA, e cila jeton në rajonin e kontrolluar nga opozitarët.

Organizata terroriste DEASH, e cila ka pushtuar 95 për qind të kampit Yermuk, mban nën kontroll gjithë lagjen Haxher el Esved përreth kampit, lagjet As Sari dhe Muezziniye, si dhe pjesën më të madhe të rrugës Tadamun./Rtv Islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit