Erdoğan: Asadi të largohet nga pikat turke të vëzhgimit në Idlib

Mos i humb

Regjimi i Asadit duhet të tërhiqet nga postet e vëzhgimit të Turqisë në veriperëndim të Sirisë këtë muaj ose Turqia do të detyrohet ta kryejë vetë këtë çështje, tha presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan.

“Nëse regjimi sirian nuk do të tërhiqet nga pikat tona vëzhgimit në Idlib brenda muajit shkurt, Turqia do të jetë e detyruar ta bëjë këtë vetë”, tha Erdoğan në takimin e grupit parlamentar të Partisë së Drejtësisë dhe Zhvillimit (AK Parti).

“Forcat ajrore dhe tokësore të Turqisë do të lëvizin lirshëm në të gjitha zonat e operacioneve (në Siri) dhe në Idlib, dhe do të kryejnë operacione nëse është e nevojshme”, shtoi ai.

Presidenti turk tha se regjimi sirian po shkel armëpushimet e arritura në Idlib, duke përmendur sulmin e së hënës nga i cili shtatë ushtarë turq ranë dëshmorë.

“Sulmi ndaj ushtarëve tanë dy ditë më parë ishte një pikë kthese në Siri për Turqinë”, tha ai.

Erdoğan shtoi se çdo sulm ndaj ushtarëve turq ose aleatëve të tyre do të përballet me hakmarrje, pa asnjë paralajmërim, pavarësisht nga burimi i sulmit.

Në operacionet e saj ushtarake, “parimi kryesor i Turqisë nuk është të dëmtojë jetën ose pronën e njerëzve të pafajshëm”, tha ai.

Erdoğan po ashtu theksoi se pritshmëria e vetme nga Rusia është ta kuptojë më mirë ndjeshmërinë e Turqisë në Siri.

Sulmi i së hënës nga regjimi sirian në veriperëndim të Sirisë martirizoi shtatë ushtarë turq dhe një kontraktues civil që punonte me ushtrinë turke. Po ashtu në këtë sulm u plagosën 13 persona të tjerë.

Në shenjë hakmarrjeje për sulmin vdekjeprurës, Turqia goditi mbi 50 shënjestra dhe vrau 76 trupa të regjimit sirian.

Që nga shpërthimi i luftës civile siriane në vitin 2011, Idlibi ka qenë një bastion i opozitës dhe grupeve të armatosura anti-qeveritare.

Aktualisht, Idlibi është shtëpi e rreth 4 milionë civilëve, përfshirë qindra mijëra të shpërngulur viteve të fundit nga sulmet e forcave të regjimit.

Në muajin shtator të vitit të kaluar, Turqia dhe Rusia u pajtuan për ta kthyer Idlibin në një zonë de-eskaluese ku aktet e agresionit janë të ndaluara.

Megjithatë, regjimi sirian dhe aleatët e tij në vazhdimësi kanë thyer kushtet e armëpushimit, përfshirë atë të fundit që filloi më 12 janar, duke nisur sulme të shpeshta brenda zonës dhe duke vrarë të paktën 1.600 civilë që nga arritja e marrëveshjes.

Turqia është ankuar për masakrën dhe sulmet e vazhdueshme, si dhe kërkoi nga Rusia të parandalojë gjakderdhjen e shkaktuar nga aleati i saj, al-Assad.

Jo plan plan paqeje “pa pëlqimin e Palestinës”

Gjatë fjalës së tij, Erdoğan sërish kritikoi ashpër të ashtuquajturin plan i paqes për Lindjen e Mesme të shpalosur nga SHBA.

“Qëllimi i vetëm i planit është të legjitimojë politikat izraelite të pushtimit, shkatërrimit dhe dhe uzurpimit që kanë vazhduar për 70 vjet”, tha Erdoğan.

“Ne kurrë nuk do të mbështesim një plan nuk e ka pëlqimin e vëllezërve tanë palestinezë”, theksoi ai.

Më 28 janar në Washington, pa përfaqësim të autoriteteve palestineze, presidenti amerikan Donald Trump shpalosi planin prej 80 faqesh së bashku me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, i cili, ndër të tjera, parasheh që Kudsi të mbetet kryeqytet “i pandarë” i Izraelit.

Sipas planit, i quajtur nga Trump si “Marrëveshja e Shekullit”, SHBA-ja po ashtu njeh vendbanimet ilegale hebreje në Bregun Perëndimor të pushtuar, ndërsa refugjatëve palestinezë u mohohet e drejta e kthimit në vendlindjet e tyre.

Gjatë shpalosjes së planit, Trump pohoi se ky është “shansi i fundit” për palestinezët për të pasur një shtet të pavarur.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit