Ergys Mërtiri, një sociolog mes artistëve: mbrojmë jo vetëm teatrin por dhe qytetin

Mos i humb

Sociologu Ergys Mërtiri është së fundi ndër zërat më aktivë e impulsivë në rrjete sociale e media, në mbrojtje të godinës ekzistuese të Teatrit Kombëtar, “vënë në rreth” nga qeveria për t’u shembur, me ofertën e ndërtimit të një të riu, modern, por me financat e një investuesi privat, i cili nga ana tjetër përfiton truall publik për ndërtime që tashmë emërtohen pezhorativisht si “kulla”.

Tesheshi.com bisedoi me z.Mërtiri për të kuptuar më qartë prej tij, në bazë të disa pyetjeve, se pse mbrojtja e teatrit është një kauzë e drejtë, siç e ai e promovon fort si tezë.

Më interesante në shpjegimet e tij, është postulati që nxjerr nga e gjitha kjo: mbrojmë jo vetëm teatrin por dhe qytetin!    

Jeni ndër zërat kryesorë, në mos kryesori nga shoqëria civile, që gjendeni mes atij grupi aktorësh të cilët mbrojnë mosshembjen e godinës së Teatrit Kombëtar, dhe, në qëndrimet tuaja publike i mëshoni rrëgullisht frazës “kauzë e drejtë”. Nga ç’pikëpamje e drejtë? Sepse, fjala vjen, në të gjithë operacionin qeveritar, mund të jetë e drejtë, apo më mirë e arsyetueshme, prishja e së vjetrës për të renë, por që nga ana tjetër, e gjitha kjo bazohet në aferë korruptive. Ose e kundërta…pra, si duhet kuptuar “kauza e drejtë” në këtë rast?

Nuk mund të them se jam zëri kryesor, por jam përpjekur të jem aktiv me sa mundem në këtë kauzë, duke marrë pjesë çdo ditë në protestë si dhe duke shkruar për çdo gjë që e konsideroj të nevojshme. Fatmirësisht kjo kauzë ka zgjuar tashmë shumë sensibilitet dhe ka shumë njerëz, jo vetëm aktivistë, por artistë, intelektualë, gazetarë, arkitektë, të cilët kanë ofruar një masë të madhe shkrimesh e debatesh që kanë sjellë argumente të forta kundër shembjes së teatrit. Së fundi, po mendohet të hartohet një botim, në formën e një libri ku të jenë grumbulluar shkrimet kryesore në mbështetjen e kësaj kauze. Nuk besoj se ka pasur deri më sot një debat që ka sjellë një nivel të tillë prurjesh në shtyp, gjë që tregon për nivelin e lartë të sensibilitetit që ka kjo çështje.

E konsideroj një kauzë të drejtë për shumë arsye.

E para, sepse është mëse e drejtë dhe e domosdoshme që të mos lejojmë shembjen e një godine që mbart vlerë për historinë e artit, në një vend ku, duhet ta pranojmë, nuk është se kemi shkëlqyer në këtë fushë, në krahasim me të tjerët. Në atë godinë ka filluar të luhet art skenik në nivele profesionale. Ajo ka qenë godina ku është themeluar Teatri Kombëtar dhe Teatri i Operas dhe Baletit. Kaq mjafton për të moslejuar që kjo ndërtesë të prishet.

E dyta, kjo godinë është pjesë e një kompleksi arkitekturor historik, së bashku me ministritë, bulevardin, sahatin, xhaminë etj. Ajo është tashmë pjesë e pejzazhit historik të këtij qyteti dhe është instaluar në memorien tonë si shtylla kurrizore e tij. Natyrisht, ky qytet do zhvillohet dhe i duhet të ndërtojë edhe godina të reja, por kjo nuk ka pse dhe nuk duhet të bëhet duke shkatërruar atë çfarë është ekzistuese. Nuk ka arsye që të shkatërrojmë atë çfarë kemi trashëguar në emër të së resë. Jo, e reja nuk ka përse të jetë në konflikt me të vjetrën. Përkundrazi, e reja merr kuptim dhe bëhet një pasuri vetëm kur ajo arrin të integrohet me atë çfarë është ekzistuese, historike dhe identitare. E reja ka kuptim kur ajo i jep vazhdimsi historisë, jo kur e ndërpret atë. Nëse të renë e ndërtojmë duke shkatërruar të vjetrën ne mbetemi komb pa trashëgimi, pa histori, pa identitet, sikurse edhe jemi, deri në një masë të konsiderueshme, gjë që na ka bërë edhe të na zgjasë kaq shumë ky tranzicion.

E treta, kjo kauzë është e drejtë edhe për shkak se kullat që planifikohet të ndërtohen janë një shkatërrim për pejzazhin e qendrës së këtij qyteti. Këto kulla, si dhe të tjerat e ndërtuara deri tani apo të planifikuara për t’u ndërtuar, janë krejtësisht të paintegrueshme me mjedisin urban dhe ngjajnë si përbindësha betoni përmbi ndërtesat ekzistuese, të cilat, sado të thjeshta të duken, ruajnë njëfarë harmonie dhe normaliteti estetik në kompleks. Kullat e reja me nga 20-30 kate, të ndërtuara vetëm me hekur, beton e xham, stonojnë plotësisht përballë ndërtesave 3-4 katëshe të stilizuara sipas modelit racional italian dhe ngjajnë si kunja groteske të ngulura mbi trupin e qytetit.

Së katërti, shtimi marramendës i këtyre kullave është një plan destruktiv për këtë qytet, i cili edhe sot është i pajetueshëm nga volumi i tmerrshëm i ndërtimit të bërë gjatë këtyre viteve. Ky qytet vuan tmerrësisht nga mungesa e hapësirave. Hapësira, gjëja më e rëndësishme e një projekti urban është pushtuar e përdhunuar në mënyrën më të tmerrshme nga këto ndërtime, të cilat kanë rritur, si në asnjë qytet tjetër në Europë dendësinë e banorëve për metër katror. Sot nuk kemi hapësira për rrugë (duke na bërë të vuajmë me orë të tëra në trafik), nuk kemi hapësira për parkim, nuk kemi hapësira për parqe, për kënde lojrash për fëmijë, nuk kemi hapësira për të ndërtuar çerdhe, kopshte, shkolla, qendra shëndetësore etj. të cilat ndikojnë dramatikisht në cilësinë e jetës sonë. Tirana është sot një fjetore e madhe ku vetëm parazitohet në mënyrën më të lodhshme dhe mërzitshme si askund përreth.

Së pesti, kjo kauzë është e drejtë edhe për shkak se e gjithë kjo nuk bëhet thjesht për të ndërtuar një teatër të ri, por për të uzurpuar një truall publik, në mënyrë që disa klientë të qeverisë të fitojnë disa milion euro më shumë. Ne nuk mund të lejojmë një përçudnim të tillë të vlerave të këtij qyteti, për pasurimin e xhepave të disa njerëzve.

Dhe së fundi, kjo kauzë është e drejtë edhe si një rezistencë ndaj përdhunimit të ligjit, me të cilën po shoqërohet projekti për prishjen e teatrit dhe ndërtimin e 6 kullave. Ne nuk mund të qendrojmë si tuhafë kur një projekt i tillë korruptiv ndërtohet duke tjetërsuar pronën, duke transferuar çështjen nga pushteti vendor (ku Edi Rama dhe Erion Veliaj nuk i kanë votat) në atë qendror, ku projekti legjitimohet me një ligj special, apostafat për një kompani të vetme, e mbi të gjitha ku vendimi merret pa pasur akoma një projekt dhe duke vendosur që ai të ndërtohet pa konkurs. Ne nuk mund ta lemë këtë pushtet të na trajtojë si qenie idiote, që mund ta tallish e tërheqësh prej hunde si të duash.

Megjithatë, as sot, por dhe as dje, nuk ekziston ai unitet qëndrimesh rreth fatit të TK-së. Te pala pro prishjes sakaq, janë të gjithë të kompromentuar moralisht në qëndrime, siç dhe është aluduar deri diku prej jush? A ka “përbërës” edhe politikë në qëndrimin kundër prishjes, së paku prej jush?

Ka pasur një përpjekje nga ana e qeverisë dhe mbështetësve të saj për ta ekspozuar këtë protestë si një aksion të motivuar e instrumentalizuar politikisht nga opozita. Natyrisht që kjo nuk është aspak e vërtetë, dhe është një prej elementëve të luftës së pandershme që kjo qeveri po bën ndaj atyre që reagojnë. Kushdo që ka ardhur aty, por edhe që e ka ndjekur nga televizioni (në fakt vetëm Faxneës e transmeton, pasi të gjithë të tjerët e kanë lënë në heshtje për llogari të qeverisë), e ka të qartë se protestuesit atje janë të majtë e të djathtë pa dallim. Jo vetëm kaq, por në një sërë fjalimesh të mbajtura aty, ka pasur zëra mjaft kritikë ndaj opozitës. Fakti që protesta është mbështetur nga opozita është diçka krejt e natyrshme, për shkak se çdo opozitë këtë do bënte, në të tilla kushte. Ajo e mbështet protestën, sepse e kupton qartë se kjo protestë ka kredibilitet, dhe se qytetarët e perceptojnë si të drejtë. Natyrisht çdo opozitë në botë, duke qenë se është në kërkim të mbështetjes së publikut, do të përpiqet të mbështesë çdo kauzë të drejtë. Por kjo nuk do të thotë aspak se kjo është një protestë e opozitës dhe nuk ka asnjë gisht të opozitës që influencon në atë protestë.

Ka pasur një debat fillimisht tek organizatorët e protestës, ku është diskutuar gjatë nëse do të lejonim apo jo eksponentë të opozitës, të marrnin pjesë në të. Me kalimin e kohës qëndrimi ka anuar nga ideja që protesta të jetë e hapur ndaj kujtdo, pa dallim përkatësie politike, përfshi këtu edhe eksponentë të maxhorancës. Madje ata janë ftuar të mbështesin protestën, të paktën ata deputetë që 20 vjet më parë u rreshtuan kundër prishjes së teatrit. Nuk e kanë bërë këtë pasi nuk kanë kurajë të dalin kundër vullnetit të shefit të tyre, por ky është problem i tyre. Kjo nuk e bën protestën partiake. Jemi aty, të djathtë e të majtë, në pavarësi nga bindjet tona, vetëm për një qëllim: Të mbrojmë teatrin dhe qytetin nga kullat dhe shkatërrimi i vërshimit të betonit.

Ndërkohë, në qëndrimet jo prishjes, sikur mungon zëri i ftohtë i ekspertit, së paku në atë teknik, sa i përket po themi mureve të TK-së. A ka të tillë? Dhe nëse po, ç’thonë ata, a mundet që të ndërhyet në ato murre për t’i mbajtur vitalë përballë presionit të kohës?

Absolutisht jo. Ekspertë të shumtë, arkitektë, urbanistë, janë shprehur se kjo godinë nuk rrezikon absolutisht të bjerë dhe se është plotësisht e restaurueshme. Një listë prej 85 arkitektësh ka nënshkruar në mbështetje të ruajtjes dhe restaurimit të teatrit ekzistues, gjë që tregon se ekspertët janë në anën e kundërt me qeverinë, pavarësisht se ç’mund të krijohet përshtypja nga propaganda e tmerrshme që bëjnë mediat. Specialistët që thonë se kjo godinë nuk mund të restaurohet janë thjesht rrogëtarë të qeverisë dhe bashkisë apo rrogëtarë të klientëve të tyre, të cilët kanë paraqitur argumente që nuk bindin askënd. Rasti më qesharak i kësaj maskarade ka qenë kur, pak ditë pas deklaratës së drejtorit të institutit sizmiologjik, i cili tha se kjo godinë nuk mban dot një tërmet prej 4 ballësh, ra një tërmet prej 5.6 ballësh që tronditi kryeqytetin dhe godina nuk pësoi asnjë dëmtim.

Pse godina e TK-së përbën sipas jush një vlerë identitare që nuk duhet prishur? Për atë çfarë sheh syri, apo për atë çfarë ka bartur e përcjellë ajo brenda ndër vite?

Siç e thashtë ajo ka vlerë sepse aty ka filluar të luhet art skenik dhe kjo është histori. Çfarë do t’iu tregojmë fëmijëve nëse nuk ruajmë dhe ato pak vlera që kemi? Po të huajve që vijnë të vizitojnë Shqipërinë dhe shohin vetëm kulla prej xhami e betoni? Godina duhet të ruhet edhe për atë çfarë sheh syri, dhe këtu nuk duhet të mbetemi tek godina në vetvete apo muret e rrënuara të saj (të cilat mund të restaurohen), por edhe tek peizazhi arkitekturor ku ajo bën pjesë. Godina duhet të ruhet gjithashtu edhe për historinë që bart, e cila, duam s’duam është pjesë e memories dhe identitetit tonë.

Nga ana tjetër, pak metra më tutje ekziston e shndërruar në gërmadhë Hotel Dajti, ku e ku më monumentale se godina e TK-së, pasi ç’prej kur u ndërtua e më pas ndër vite, pasi dhe famë rajonale. Një rrënim gjithashtu ndodhi dhe me një pasuri tjetër monumentale, referuar stilit arkitektonik, Piramidës, një tjetër shenjë identitare e Tiranës. Si i shihni dhe ato?

Natyrisht edhe Hotel Dajti është një godinë që tashmë është instaluar në memorien qytetare të këtij qyteti, madje edhe në memuaristikën e shkruar, për shkak të shumë eventeve dhe ngjarjeve të ndodhura aty, por edhe në përshkrimet e udhëtarëve të kohës. Megjithëse për mua teatri ëshët një rast më flagrant, sigurisht, edhe kjo godinë duhet ruajtur e rikonstruktuar.

Në rastin e Piramidës, çështja është pak ndryshe, pasi ajo godinë ka vetëm 30 vjet që qendron në këmbë dhe, përveç kësaj, nuk është se ka ndodhur diçka aty, për të bartur peshën historike që mban teatri. Përveç kësaj, kjo godinë është ndërtuar si një objekt që shpalos lavdinë e diktatorit dhe mynxyrës më të madhe që i ka ndodhur këtij vendi, të paktën në këta 100 vjet shtet shqiptar. Kjo e bën debatin më të komplikuar. Gjithsesi edhe ajo mund të ruhet, ndonëse ka nevojë për një ide të qartë se në ç’mënyrë dhe në për çfarë funksioni. Por interesante për t’u theksuar këtu është se, shumë prej atyre që kanë shurdhuar opinionin për mbrojtjen e Piramidës, pak vite më parë, sot janë pro shembjes së teatrit. Kjo tregon sesa të instrumentalizuar janë.

Gjithsesi beteja juaj vazhdon. E para, jeni të bindur që përfaqsoni shumicë në këtë kauzë, dhe e dyta, a besoni se mund ta ndryshoni destinin qeveritar të godinës së TK-së?

Nuk dyshoj aspak që jemi shumicë, ndonëse për mua të qenit shumicë nuk është një objekt i rëndësishëm legjitimimi. Legjitimitetin një kauze nuk ia jep numri i mbështetësve, por drejtësia e saj. Në këtë rast, jemi edhe në të drejtën, por edhe me një shumicë të pakrahasueshme. Të paktën në rrethet e njerëzve të shkolluar, kemi parë një pafundësi zërash të rreshtuar në krah të teatrit dhe vetëm një grusht mercenarësh, rrogtarësh e klientësh të qeverisë që po mundohen me sforcim të bëjnë sofizma për kundërpeshë, të mbështetur edhe nga një suport i madh mediatik, E megjithatë nuk po ia dalin. Kjo kauzë po fiton gjithnjë e më shumë mbështetje, e demonstruar edhe në rritjen e numrit të protestuesve që vijnë çdo ditë në sheshin e teatrit.

Kjo më bën optimist se qeveria do të thyhet. Në mos kemi fituar plotësisht, deri tani ia kemi dalë ta detyrojmë qeverinë ta shtyjë çështjen për muaj të tërë. E ndërkohë sensibiliteti i opinionit është rritur, qytetarët në protestë janë shtuar, zërat që shkruajnë po shpërthejnë, ndërsa kemi një rritje të ndjeshme të interesit edhe nga ana e faktorit ndërkombëtar që vjen nga BE-ja dhe trupi diplomatik në Shqipëri. Nëse Rama do të vijojë të këmbëngulë me kokëfortësi në qendrimet e tij, kjo do të jetë për të keqen e vet!

Në fund, personale: sa i lidhur ka qenë Gysi me Teatrin Kombëtar ndër vite?

Sigurisht kam pasur një periudhë kohe që nuk kam shkelur në teatër, në vitet e rinisë së hershme, ku teatri ishte një trishtim. Që nga vitet 2005-2006 kam filluar të shkoj ndonjëherë, kur shihja ndonjë shfaqje që ma mbushte mendjen. Gjatë kësaj kohe kam parë drama fantastike që më kanë lënë mbresë, si “Rrëshajat”, “Portreti i Dorian Grejt”, “Apologjia e vërtetë e Sokratit”, “Shënimet e një të çmenduri” etj. Vitet e fundit ka pasur një rritje të ndjeshme të vëmendjes ndaj teatrit dhe ka pasur edhe një rritje të ndjeshme të prurjeve. Aktualisht, shkoj në teatër thuajse çdo muaj dhe është nga të paktat gjëra me vlerë që mund të bësh në këtë shkretëtirë kulturore ku jetojmë.

Megjithatë, të mbrosh teatrin nuk është diçka që i takon vetëm atyre që e frekuentojnë atë. Teatri është i qytetit dhe duhet mbrojtur nga të gjithë, pasi efekti i artit nuk mbërrin vetëm tek ai që e frekuenton, për përhapet si eko në të gjithë shoqërinë. Përveç kësaj, nuk po mbrojmë vetëm teatrin, por edhe qytetin nga kullat.

Edhe diçka e fundit: jeni kundërshtar i ashpër i produktit artistik të komunizmit. Dhe, edhe prej këtij teatri ka dalë jo pak ai lloj produkti i urryer, si fjala vjen drama “Komunistët”, “Baca i Gjetajve”, etj. Mos jua bën kundërthënës kjo qëndrimin tuaj në mbrojtje të godinës?

Jo, aspak. Është e vërtetë se kam qenë kritikues i ashpër i produkteve kinematografike propagandistike të Kinostudios, siç jam i rreptë edhe sot e gjithë ditën me çdo formë të vulgarizimit të artit, indoktrinimit të tij e përdorimit të tij për qëllime propagandistike. Megjithatë, në debatin për filmat e komunizmit, kam mbrojtur idenë se ata filma që propagandojnë në mënyrë të egër e të drejtpërdrejtë qendrime kriminale që kanë të bëjnë me politikën e kohës, duhen ndaluar, për shkak se edhe ligjet në fuqi ndalojnë çdo lloj propagande të tillë kriminale siç është p.sh. fashizmi, ku natyrisht nuk mund ta diferencojmë as komunizmin, e sidomos enverizmin. Por kjo duhet dalluar nga qendrimi im mbi historinë. Do isha gjithashtu në mbrojtje edhe të godinës së Kinostudios, nëse do të shembej. Pra historia është histori, pavarësisht se mund të kem shumë rezerva ndaj produktit.

Tek teatri situata është gjithsesi më ndryshe. Eshtë e vërtetë se historia e këtij teatri bart mëkatet e veta. Shfaqjet propagandistike në shërbim të regjimit kanë qenë pa dyshim një anë e errët, ndonëse mund të hajë mjaft diskutim se deri ku shkon përgjegjësia individuale e atyre që i kanë vënë në skenë, duke llogaritur këtu edhe qendrimet që ka mbajtur secili pas rënies së komunizmit për to. Por ky është një debat që nuk lidhet vetëm me teatrin por me gjithçka, kinemanë, televizionin, akademinë, etj. Megjithatë, në atë teatër janë luajtur gjithashtu edhe shfaqje të mirëfillta artistike e jopropagandistike. Është luajtur Shekspiri, Molieri, Eskili etj. Përveç kësaj, siç e thashë, godina ka një vlerë përtej funksionit të saj, duke qenë pjesë e një kompleksi urbanistik, e veç kësaj, vetë zëvendësimi saj me kulla, përbën një krim që nuk duhet të lejohet. /tesheshi.com/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit