Banka e Shqipërisë ka blerë të paktën tre herë euro në treg të lirë për të mos lejuar zhvlerësimin e monedhës europiane ndaj lekut. Top Channel ka mësuar se vetëm në një rast, banka ka blerë 118 milionë euro, të cilat ishin parashikuar të hidheshin në treg nga një kredi e BERZH për Korporatën Elektro-energjetike Shqiptare.
Këto euro do të këmbeheshin në lekë në treg të lirë nga Korporata Elektroenergjetike për të shlyer borxhet që ajo ka ndaj bankave vendase.
Por e shqetësuar nga pasojat që do të kishte injektimi i 118 milionë eurove në kursin e këmbimit, Banka e Shqipërisë e konvertoi vetë të gjithë kredinë, duke blerë eurot nga BERZH dhe duke i dhënë asaj vlerën përkatëse në lekë.
Rrjedhimisht kredia e BERZH për KESH është disbursuar në lekë.
Por veç konvertimit të kredisë së BERZH, banka e Shqipërisë ka blerë të paktën edhe dy herë të tjera euro në tregun e brendshëm, ndonëse sasia e blerë nuk bëhet publike.
Ditët e fundit kursi i këmbimit euro-lek është shoqëruar me luhatje të forta. Fillimisht ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë ne treg çoi në forcimin e euros nga 124 lekë në mbi 128 lekë.
Por kjo tendencë zgjati vetëm 4 ditë dhe më pas euro ka filluar të zbresë sërish dhe këtë të enjten është këmbyer me 126.11 lekë.
Top Channel