“Facebook ka mashtruar deputetët britanikë për cenimin e të dhënave”

Mos i humb

Deputeti i Parlamentit të Britanisë së Madhe, Damien Collins, ka akuzuar kompaninë Facebook dhe kompaninë për analiza të të dhënave “Cambridge Analytica”, se gjatë një dëshmie të dhënë pas zbulimit të aferës për rrjedhje të të dhënave personale, kanë mashtruar anëtarët e një komisioni parlamentar.

Damien Collins, kryetar i komisionit për Dixhitalizim, Kulturë, Media dhe Sport, i ka bërë thirrje shefit të Facebookut, Mark Zuckerberg që të dëshmojë përpara këtij komisioni.

“Do ti shkruaj Mark Zuckerbergut për të kërkuar që ai, ose një zyrtar tjetër i lartë i kompanisë, të vijë për të dhënë dëshminë para anëtarëve të komisionit, në kuadër të hetimeve”, thuhet në kumtesën e Collins.

Ai thotë se është e papranueshme, siç kishte bërë më parë kompania, të dërgojë dëshmitarë të cilët tentojnë të shmangin pyetjet e vështira me pretendimin se nuk i kanë përgjigjet.

Në fillim të javës që po lëmë pas, denoncuesi Chris Wylie, një ish i punësuar në Cambridge Analytica, zbuloi se 50 milionë profile të Facebookut kanë qenë të përpunuar nga kompania analitike, për të ndikuar opinionin publik në Britani dhe SHBA.

Detajet zbulojnë qasjen e Cambridge Analytica në informacionet private të këtyre profileve në Facebook, duke përfshirë mesazhet private, përditësimet e statusit dhe pëlqimet.

Facebook ka hedhur poshtë pretendimet për shkeljen e të dhënave, duke thënë se ata tashmë kanë pezulluar kompaninë Cambridge Analytica nga platformat e saja.

“Pohimet e tilla të cilat thonë se kjo paraqet shkelje të të dhënave personale janë krejtësisht të rreme. Njerëzit me vetëdije u kanë dhënë informacione atyre dhe nga këtu asnjë pasword ose informacion nuk është vjedhur”, thonë nga Facebook.

Edhe Cambridge Analytica ka përgënjeshtruar këto pohime, duke thënë se ata nuk marrin informacione private përmes profileve në Facebook.

Tashmë mbetet të shihet reagimi i kreut të Facebookut, Mark Zuckerberg, nëse do tu përgjigjet thirrjeve për të dëshmuar në Parlamentin e Britanisë./Rtv Islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit