Facebook ka pranuar se ka patur marrëveshje për ndarjen e të dhënave me katër kompani kineze që operojnë në fushën e teknologjisë, mes tyre edhe një kompani e konsideruar si kërcënim për sigurinë kombëtare nga komuniteti amerikan i zbulimit. Kjo ka ngritur shqetësime të reja rreth mënyrës se si i ka trajtuar të dhënat personale të konsumatorëve gjigandi i medias sociale.
Kompania e pranoi dje këtë fakt, vetëm dy ditë pasi gazeta The New York Times zbuloi se media sociale kishte bërë marrëveshje të posaçme për shkëmbimin e të dhënave me 60 prodhues pajisjesh elektronike, përfshirë Huawei, Lenovo, OPPO dhe TCL, për ta bërë më të lehtë për përdoruesit e Facebook-ut për të pasur qasje në llogaritë e tyre nga një gamë e gjerë aparatesh elektronike, përcjell Telegrafi.
Për vite me radhë zyrtarët amerikanë kanë ngritur shqetësime për kompaninë kineze Huawei, duke pasur frikë se qeveria kineze mund të kërkojë qasje në të dhënat e ruajtura në pajisjet apo serverat e tyre. Shqetësimet bënë që ushtria amerikane të ndalonte shitjen e aparatëve celularë inteligjentë Huawei në bazat e saj.
Një nga zyrtarët e lartë të Facebook-ut, Francisco Varela, tha dje se shkëmbimi i të dhënave me Huawei-n dhe kompanitë e tjera kineze “u kontrolluan që në fazat e para”.