FAVORIZIMI I NJËRIT FËMIJË NDAJ TJERËVE! NGA: BASHKIM ALIU

226
0

FAVORIZIMI I NJËRIT FËMIJË NDAJ TJERËVE

PYETJA:Cili është mendimi juaj, në fakt cili është qëndrimi i Fesë Islame përkitazi me një person i cili ka shëndet të mirë dhe pasurinë e tij, të tundshme dhe të patundshme, ia ka dhënë njërit nga djemtë e tij, ndërkaq djemtë tjerë i ka privuar nga kjo pasuri pas vdekjes së tij. Personi në fjalë vdiq. Tash, djali të cilit ia ka lënë pasurinë, a i lejohet ta shfrytëzojë këtë pasuri vetë ai, pa vëllezërit tjerë?
Ju drejtohemi me këtë pyetje që të na përgjigjeni, Allahu ju shpërbleftë me të mira për atë që bëni për ne.

PËRGJIGJET : Dr.Jusuf El-Kardavi

I tërë falënderimi i sinqertë i takon vetëm Allahut, dhe paqja qoftë mbi të Dërguarin e Allahut.
Personi në fjalë, ka bërë gabim nga dy aspekte:
I pari:Ka favorizuar njërin nga fëmijët e tij ndaj tjerëve me atë që ia ka dhënë gjithë pasurinë e tij, ndërkaq fëmijët tjerë i ka privuar nga kjo pasuri. Ky veprim nuk është i lejuar. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. e refuzoi një nga shokët e vet, kur ai kërkoi prej tij që të dëshmojë në një çështje identike me këtë, dhe i tha:”Kërko dikë tjetër të dëshmojë për atë veprim, se unë nuk dëshmoj një padrejtësi”.
Disa dijetarë e kanë lejuar që të favorizohet ndonjë nga fëmijët duke i dhënë diçka më tepër për një shkak të caktuar që e bën më të nevojshëm se tjerët, fjala vjen, nëse është me nevoja të veçanta, apo ka një sëmundje kronike, apo vëllezërit e tij janë shkolluar e ai ende jo, apo vëllezërit e tij janë martuar të ndihmuar materialisht nga babai, e ai ende nuk është martuar, apo shkaqe tjera të ngjashme, që në fakt konsiderohet tentim për barazimin e të gjithëve në mundësi.
I dyti:Ky veprim i tij, në veçanti dhënia e patundshmërive, konsiderohet kundërshtim i dispozitave të qarta të Allahut në trashigimi, të cilat Allahu i Madhërishëm i ka shpjeguar qartë, siç është ajeti:<<Allahu ju urdhëron për (çështjen e trashëgimit) fëmijët tuaj:për mashkullin hise sa për dy femra…>> ; <<Këto janë (dispozita) të caktuara prej Allahut. Kush i bindet Allahut, (urdhërave të Tij) dhe të dërguarit të Tij, atë e dërgon në xhenete nën të cilët burojnë lumenj. Aty do të jenë përgjithmonë. E ky është shpëtim i madh (13) Kush kundërshton Allahun dhe të dërguarin e Tij, dhe i shkel dispozitat e Tij, atë e shtie në zjarr të përjetshëm. E për të është një dënim i rëndë (14)>>.
Ndërkaq, djali të cilit babai ia ka dhënë gjithë pasurinë e tij, pa u dhënë vëllezërve tjerë asgjë, dhe ai këtë gjë e di, e ka pranuar haramin dhe e ka shoqëruar prindin në mëkat. Ai duhet të çlirohet nga kjo barrë duke ua kthyer gjithë vëllezërve të vet hakun e pasurisë që u takon, apo një pjesë të saj, nëse ata pajtohen me këtë gjë. Me këtë, ai e pastron veten dhe e pastron prindin e vet të vdekur. Kjo do të ishte edhe bamirësi ndaj prindit dhe lehtësim i tij pas vdekjes, respektim i të afërmve të gjakut, si dhe respektim i të drejtave të vëllezërve nga ana tjetër. Allahu ia bekon atij pasurinë e paktë, por që është hallall, dhe kjo është më e dobishme se pasuria e shumtë që është haram. Allahu mundëson sukses.
Prej arabishtes:Bashkim Aliu
(Pjesë e shkëputur prej librit:Fetva Bashkëkohore, pjesa e III)

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here