Fetahu: Me dinjitet do të luaj rolin e bartësit të paqes dhe unitetit

Mos i humb

Ushtruesi i detyrës Reis-ul-Ulema, Fetahu, vizitoi selinë e BFI-së në Shkup dhe mbajti konferencën e tij të parë për shtyp që nga emërimi në këtë post.

Në fjalimin e tij, Fetahu theksoi se ai është i nderuar të flasë si kryetar i BFI-së, duke theksuar kjo është një detyrë që i është besuar atij si amanet për ta kryer me përgjegjësi të madhe. Fetahu tha se detyra si kryetar i organit më të lartë fetar në vend është një përgjegjësi e nderuar dhe shpirtërore.

“Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë së Veriut është organizatë e vetme e cila organizon jetën fetare të muslimanëve në vend dhe jashtë. BFI veprimtarinë e vet e mbështet në Kuranin Famëlartë, në sunetin e Muhamedit a.s, në kushtetutën e saj, në aktet normative që dalin nga e njëjta, si dhe ligjet për pozitën juridike të Bashkësisë Fetare në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, deklaroi Fetahu.

Po ashtu, Fetahu tha se “fryma e besimit i mëson njeriut që të jetë respektues me të tjerët, pranues i të ndryshmes, dhe të jetë bashkëpunues me qëllimin e përbashkët për zhvillimin e shoqërisë, emancipimin, integrimin dhe arsimimin e saj”.

Ai tha se BFI në Maqedoninë e Veriut në veprimtarinë e saj institucionale ka luajtur një rol të rëndësishëm në edukimin dhe arsimimin e brezit të ri që do të jetë një faktor i rëndësishëm për stabilizimin dhe zhvillimin e BFI-së në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit social, edukativ dhe moral të këtij nënqielli.

“Kultura institucionale është një nga asetet më të rëndësishme për funksionimin e mirëfilltë të institucionit, dhe në këtë drejtim, në të ardhmen do të merren disa hapa konkretë për riorganizim të institucionit më të lartë fetar”, theksoi Fetahu.

“Pritja dhe dëshira jonë është që BFI si një institucion serioz të merret si qendër referimi për të gjitha institucionet e tjera. Besoj se ky institucion do të jetë shumë serioz në përmbushjen e shërbimeve të pritura dhe në mënyrë shumë dinjitoze do të luajë rolin e bartësit të paqes, prosperitetit, unitetit dhe solidaritetit në këtë vend”, shtoi kryetari në detyrë i BFI-së.

Kujtojmë se ish-kryetari i BFI-së, Sulejman Rexhepi, njoftoi në një deklaratë me shkrim dorëheqjen e pakthyeshme nga detyra Reis-ul-Ulema.

Më 27 maj, Riaseti i këtij institucioni zhvilloi një seancë të jashtëzakonshme për të vendosur për shkarkimin e Rexhepit dhe caktoi myftiun e Gostivarit, Shaqir Fetahu, si ushtrues detyre deri sa të përgatiten kushtet e reja për zgjedhjen e kryetarit të ri.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit