Finlanda përkrah Kosovën drejt rrugës europiane!

27
0

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka zhvilluar një takim me një delegacion të ambasadorëve dhe diplomatëve regjional të Finlandës, të kryesuar nga Olli Kantanen, zëvendësdrejtor i përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Finlandës, me të cilët ka biseduar për situatën politike dhe ekonomike në vend, si dhe për zhvillimet e përgjithshme në rajon.

Kryeministri Haradinaj, siç njofton komunikata për media, ka njoftuar ambasadorët dhe diplomatët finlandezë për prioritet e Qeverisë së Kosovës, në zhvillimin ekonomik, forcimin e sundimit të rendit dhe ligjit, për zhvillimet politike dhe ekonomike në vend, zbatimin e Agjendës së Reformave Evropiane dhe procesin e liberalizimit të vizave.

“Duke i falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme që Finlanda i ka dhënë Kosovës, dhe duke marrë parasysh që Finlanda merr kryesimin e Presidencës së Këshillit Evropian, nga korriku i këtij viti, Kryeministri Haradinaj kërkoi që Finlanda të luaj rolin e saj në forcimin dhe dinamizimin e agjendës evropiane për Kosovën”, thuhet në komunikatën për media.

Ndër temat e diskutimit ishte edhe procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, tarifa dhe liberalizimi i vizave.

Në kumtesë gjithashtu thuhet se Haradinaj u shpreh se Kosova është për një proces të dialogut pa kushtëzime dhe e interesuar për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht obligative, që nënkupton njohjen reciproke dhe çështja e tarifave, duhet të jetë pjesë integruese e marrëveshjes për njohjen reciproke. Ndërsa për liberalizimin e vizave, vlerësoi se Kosova deri më tani ka përmbushur të gjitha kriteret e vëna nga Bashkimi Evropian.

Nga ana e tyre, delegacioni i ambasadorëve dhe diplomatëve regjional të Finlandës, thuhet në komunikatë, vlerësuan lartë të arriturat në Kosovë dhe shprehën gatishmërinë e shtetit finlandez për përkrahjen e Kosovës në rrugën e saj evropiane dhe në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të saj.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here