FMN sugjeron tërheqjen e projektligjit për veteranët e arsimit

Mos i humb

Përfaqësuesi Rezident i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në Kosovë, Ruud Vermeulen, ka thënë se projektligji për veteranët e arsimit, i miratuar nga Qeveria e Kosovës është i papërballueshëm për buxhetin e Kosovës.

“Më lejoni që fillimisht, të theksoj se ne e njohim shërbimin e paçmuar  të mësuesve që kanë dhënë mësim nëpër shtëpi, në vitet e vështira të 1990. Sidoqoftë, shumë mësues e kanë bërë këtë në baza vullnetare dhe janë  kompensuar nga një fond unik për kontributin vullnetar, ku shumë prej tyre fillimisht refuzuan që të paguheshin.  Për më shumë, përfitimet e pensioneve të parashikuara janë shumë bujare duke pasur parasysh nivelin e pagave në vitet 1990 dhe nivelet e pensioneve në Kosovë sot. Për shembull, një mësues që punonte në sistemin paralel vetëm për një vit, do të kishte të drejtën e një pensioni mujor të përhershëm prej më shumë se 260 euro, i cili është 3.5 herë më i lartë se pensioni bazë dhe 50 përqind më i lartë se pensioni mesatar kontribuues ( për pensionistë me më shumë se 15 vjet përvojë pune para vitit 1999)€ , ka thënë Veremulen.

Kjo bujari, sipas tij, vjen me një kosto të madhe për buxhetin, që mund të mos jetë e dukshme në vitin e parë të implementimit. Por, sa më shumë mësues dalin në pension, shpenzimet do të rriten dhe lehtë mund të tejkalojnë 1 përqind të (Produktit të Brendshëm Bruto) PBB-së në vit.

Përfaqësuesi rezident i FMN-së në Kosovë, Ruud Veremulen tha se në atë pikë, kostoja fiskale vjetore do të ishte 10 herë më e lartë se ajo që është prezantuar publikisht. Dhe duke pasur parasysh kufizimet e të ardhurave, kjo do të vijë me koston e shpenzimeve të nevojshme për të përmirësuar rezultatet e arsimit , cka duhet të jetë një prioritet më i lartë politik, për të adresuar mungesat e aftësive në tregun e punës dhe për të zvogëluar papunësinë, kujdesin shëndetësor dhe infrastrukturën.

FMN kërkon nga Qeveria që  ta tërheq këtë projektligj siç është në formën aktuale.

“Për më tepër, gjeneroziteti i një pjese të shoqërisë me siguri do të shkaktonte kërkesa për përfitime të barabarta të pensionit, për mësuesit e tjerë dhe profesionet e tjera, duke rritur tutje kostot e saj. Për këto arsye, ne fuqimisht këshillojmë që të mos vazhdohet tutje me këtë projektligj në formën e tij aktuale”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se sipas pikëpamjes së FMN-së, sistemi i pensioneve të pleqërisë nuk është instrumenti i përshtatshëm për të kompensuar këta punëtorë të arsimit.

“Në vend që të sigurohet një pension vjetor, kompensimi mund të bazohet në pagat e mësuesve të asaj kohe, të pranuara për shkathtësitë dhe kompensimin e marrë, dhe të paguara me këste për të përhapur shpenzimet për më shumë buxhet. Në këtë drejtim, ne i ndajmë plotësisht kundërshtimet ndaj ligjit të ngritur nga Ministri i Financave”, ka thënë Veremulen.

Ligji, sipas tij, duhet ridizajnuar për të bërë drejtësi ndaj mësuesve dhe tatimpaguesve, duke siguruar një kompensim të arsyeshëm dhe afatgjatë që Kosova mund të përballojë.

“Përgjigja e shkurtër në pyetjen tuaj është se sipas mendimit tonë Kosova nuk mund të përballojë koston e kësaj skeme”, ka shtuar ai.

Ai ka thënë se kanë ndarë pikëpamjet e FMN-së me Ministrinë dhe palët e interesuara, dhe pikëpamjet e FMN-së mbi ndikimin fiskale mbështeten edhe nga ministria e Financave. Ndonëse, sipas Veremulen pavarësisht nga kjo, projektligji është dorëzuar në Parlament./Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit