Front i përbashkët në Tiranë kundër lajmeve të rreme- “fake news”!

Mos i humb

Para pak ditësh në Tiranë është mbajtur konferenca ndërkombëtare me temë “Agjencitë e lajmeve kundër Fake News” ku ishin mbledhur përfaqësues të agjencive zyrtare më prestigjioze të lajmeve nga rajoni, por dhe vende të tjera të botës.

Aty u diskutua për sfidat e agjencive të lajmeve përballë fenomenit të lajmeve të rreme, ndërsa në fund të saj u publikua një deklaratë e përbashkët duke theksuar se kanë rënë dakord për të luftuar së bashku kundër fenomenit global të “fake news.

Konferenca ishte mbajtur me datë 3 dhe 4 dhjetor në Tiranë, nga Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATA), ndërsa Anadolu Agency (AA) në këtë konferencë u përfaqësua nga Ogün Duru, editor i agjencisë për lajmet e jashtme.

Gjatë konferencës, përfaqësuesit e agjencive të lajmeve theksuan domosdoshmërinë e përballjes me fenomenin global të lajmeve të rreme. Ata theksuan se teknologjitë e reja mundësojnë përhapjen shumë të shpejtë të lajmeve të rreme, konfuze dhe që cenojnë një nga liritë themelore të njeriut, siç është e drejta e informimit.

Sipas asaj që shkruan AA, në deklaratën e përbashkët thuhet se është rënë dakord për bashkëpunim të drejtpërdrejtë mes agjencive të lajmeve për verifikimin dhe zbulimin në kohë të lajmeve të rreme, zhvillimin e mjeteve efikase për fuqizimin e përdoruesve të internetit dhe gazetarëve për parandalimin e dezinformimit, rritjen e transparencës së lajmeve online, duke përfshirë zhvillimin e vazhdueshëm të gazetarisë profesionale, etj.

Gjithashtu agjencitë angazhohen edhe për mbrojtjen e diversitetit dhe qëndrueshmërisë së ekosistemit mediatik për lajmin e vërtetë.

Në deklaratë iu bëhet thirrje gjitha agjencive të lajmeve, shtetërore apo private, si dhe organizatave ndërkombëtare të agjencive të lajmeve, të bashkohen në këtë deklaratë.

Deklarata e Tiranës është nënshkruar nga agjencitë: AA (Turqi), ATA (Shqipëri), ANA MPA (Greqi), HINA (Kroaci), BTA (Bullgari), AZERTAC (Azerbajxhan), PAP (Poloni), AGERPRES (Rumani), TASR (Sllovaki), UKRINFORM (Ukrainë), CNA (Qipro Greke), FENA (BeH) dhe TANJUG (Serbi).

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit