Gara e Prishtinës, LDK kërkon rishikimin e votave të pavlefshme

Mos i humb

Lidhja Demokratike e Kosovës do të kërkojë rishikimin e 610 votave të pavlefshme në Prishtinë. Deputeti i saj, Driton Selmanaj tha për një media vendase se, forca politike ku ai aderon ka dyshime të forta për gabime në këto vota dhe dëshiron sqarimin e plotë të tyre, për të pasur në këtë mënyrë një tabelë më të qartë të rezultatit.

LDK-ja po kështu pretendon nga organet kompetente që të verifikojnë ndonjë mospërputhje të mundshme në rezultatet paraprake, pasi kandidatit të saj Arban Abrashi iu shtuan edhe 80 vota, duke e ngushtuar në vetëm 237 vota diferencën me Shpend Ahmetin e Lëvizjes Vetëvendosje, i cili u shpall fitues në Prishtinë, ku ishte edhe beteja më e ashpër e zgjedhjeve lokale.

“Kur pamë ndryshimin e votave, – thotë Selmanaj, – iu drejtuam autoriteteve apelin që t’i shohin mirë këto raste e të kontrollojnë përse ka ndodhur gabimi apo nëse ai ka qenë i qëllimshëm”.

Bindja e këtij deputeti është se LDK-ja mund ta përmbysë rezultatin në kryeqytet pas rishikimit të votave me kusht. Eksperienca e së shkuarës, sipas tij tregon se në situata të tilla, diferenca e votave mund të ndryshojë shumë.

“Po, edhe nëse nuk e marrim Prishtinën, – shtoi ai, – ne sërish mbetemi partia më e madhe në vend”. Ai shtoi se në Prizren, LDK-ja nuk e ka përkrahur zyrtarisht Vetëvendosjen, por strukturat e saj ishin të hapura për bashkëpunim me cilëndo parti për të rrëzuar pushtetin e PDK-së.

Në të dy raundet e zgjedhjeve lokale në Kosovë, LDK-ja siguroi numrin më të madh të komunave. Me rritje rezulton edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ndërsa PDK-ja mori vetëm 5 të tilla dhe Vetëvendosja 3./Top Channel/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit