Gashi vizitë në Shqipëri, në fokus bashkëpunimi për diasporën

Mos i humb

Zv/kryeministri, njëkohësisht ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike i Republikës së Kosovës, Dardan Gashi, ka vizituar sot Shqipërinë, ku është takuar me ministrin e Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko.

Në takimin i cili është mbajtur pa praninë e mediave, mësohet se në fokus ishte bashkëpunimi ndërmjet dy ministrive të diasporës në funksion të organizimit të diasporës dhe migracionit shqiptar.

“Konkretisht, palët biseduan në lidhje me negocimin e dy marrëveshjeve shumë të rëndësishme që do të firmosen në takimin e përbashkët mes dy qeverive. E para, marrëveshja në kuadër të fushës së bashkëpunimit midis dy ministrive; marrëveshja e dytë ka të bëjë me qendrat e përbashkëta kulturore, të cilat kanë për qëllim eksportimin e kulturës dhe ruajtjen e forcimin e lidhjeve të diasporës me vendlindjen”, thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit të Ministrisë së Shtetit për Diasporën të Republikës së Shqipërisë.

Majko është shprehur gjatë takimit se Shqipëria ka një migracion shumë të suksesshëm nga pikëpamja individuale, duke shtuar se po bëhen përpjekje për një strategji në funksion të detyrimit që Shqipëria dhe Kosova kanë ndaj qytetarëve të tyre jashtë kufijve shtetëror.

Ndërsa Gashi, duke folur për rëndësinë e qendrave kulturore theksoi se “ato do të kenë në fokus edhe arsimin, mësimin e gjuhës shqipe për fëmijët e Shqipërisë, Kosovës dhe të gjitha viseve shqiptare.”

Kujtojmë se në Korçë më 27 nëntor dhe në Vlorë më 28 nëntor të këtij viti janë planifikuar të mbahen dy mbledhjet e përbashkëta mes Qeverisë së Shqipërisë dhe Qeverisë së Kosovës./Rtv Islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit