Gjashtë pretendentë nga parti të ndryshme shqiptare synojnë të udhëheqin me Këshillin Nacional të Shqiptarëve në Serbi

Mos i humb

Nesër në Luginën e Preshevës mbahen zgjedhjet e Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Serbi, i cili merret ekskluzivisht me çështjet e shqiptarëve atje, me qëllim të avancimit të të drejtave të shqiptarëve në fushën e arsimit, kulturës dhe përdorimit të simboleve kombëtare.

Njohës të së drejtës kushtetuese në Kosovë thonë se të drejtat e shqiptarëve atje janë përkeqësuar dhe se ata që marrin mandatin për udhëheqjen e Këshillit duhet të jenë unikë dhe t’i përparojnë të drejtat e tyre nacionale.

Janë gjashtë shqiptarë nga parti të ndryshme të cilët pretendojnë të udhëheqin me Këshillin Nacional Shqiptar në Serbi.

Fushata parazgjedhore e tyre ka përfunduar dhe zgjedhjet mbahen nesër më 4 nëntor.

Këshilli është një institucion i themeluar në vitin 2010 për të mbrojtur dhe avancuar të drejtat e shqiptarëve në fushën e arsimit, kulturës, informimit, përdorimit të simboleve kombëtare dhe përdorimit te shkrimit e gjuhës shqipe.

Por praktikat tregojnë se Serbia asnjëherë nuk ka avancuar të drejtat dhe liritë, elementare të qytetarëve atje.

Madje, në luginë nuk u lejua as lapidari i Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjes dhe Bujanocit, të cilin pushteti serb e pati hequr me dhunë.

Behxhet Shala, kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, tregon për KosovaPress se nuk është fare optimist se ky këshill do të mund të prodhojë të drejta për shqiptarët atje.

“Shteti i Serbisë është i detyruar t’ua njohë të drejtat të cilat u takojnë, sipas dokumenteve për të drejtat e njeriut. Në anën tjetër për shqiptarët e Luginës kanë të drejtë legjitime të kërkojnë respektimin e të drejtave të njerëzve atje, edhe Shqipëria edhe Kosova, madje e kanë obligim, sikur qysh ka të drejtë Serbia të kërkojë të drejta për serbët në Kosovë. Madje Serbia nuk len adresë pa u ankuar për të drejtat e serbëve në Kosovë, ndërkaq shqiptarët e Luginës nuk i kanë as 30 për qind të drejtat sa i kanë serbët e Kosovës. Këshillat mund të formohen por nuk mund të prodhojnë të drejta për shqiptarët atje”, thotë Shala.

E profesori i së drejtës kushtetuese, Mazllum Baraliu thotë se përkundër faktit që këshilli është kategori kushtetuese, të drejtat e shqiptarëve atje përveç që nuk kanë avancuar, ato janë përkeqësuar.

“Deri më tani fatkeqësisht përkundër faktit që ky organ është kategori kushtetuese, megjithatë të të drejtat e shqiptarëve në komunat përkatëse, të Luginës së Preshevës dhe në Medvegjë nuk janë avancuar por janë përkeqësuar. Vazhdimisht ka diskriminim, ka veprim të vazhdueshëm permanent të qeverisë dhe institucioneve tjera për të penguar në prona dhe në shtetësi njerëzit, në qarkullim të lirë… Pengojnë qarkullimin e segmenteve institucionale dhe përfaqësuesve të tyre të Kosovës që të shkojnë atje dhe të kenë kontakte, të ndihmojnë e të përkrahin të paktën moralisht, dhe politikisht pse jo, popullsisë dhe institucionet politike që janë atje”, thotë ai.

Ai thotë se do të duhej mobilizuar dhe unifikuar të gjitha forcat politike dhe qytetarët atje, në mënyrë që të dalin sa më masovikisht në zgjedhje dhe të vendosin për një strukture që i reprezenton më së miri interesat e tyre.

Sipas tij, efekti i këshillit varet edhe nga energjia pozitive e subjekteve politike dhe popullit atje.

“Varet kryesisht nga energjia pozitive dhe orientimet që duhet të kenë subjektet politike dhe popullata e Kosovës Lindore që të zgjedhë strukturë ne caktuar adekuate, dhe kreun adekuat të Këshillit Nacional të Shqiptareve në Luginë të Preshevës në mënyrë që edhe më shumë se deri më tani, duke mos nënçmuar dhe minimizuar punën që është bërë, të avancojmë më tutje, të jenë më unik dhe t’i përparojnë të drejtat e tyre nacionale, kulturore, indetitetit të tyre, gjuhës dhe të drejtave të tjera që shkojnë në këtë spektër që i përkasin kompetencave të Këshillit Nacional të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, thotë ai.

Sipas Baraliut, në këtë kohë kur Serbia pretendon anëtarësim në Bashkimin Evropian, do të duhej të ishte e vetëdijshme dhe korrekte në respektimin e të drejtave në tërësi të komuniteteve atje.

Baraliu përmend edhe shqiptarët në Sanxhak të Serbisë, ku thotë se gjendja është edhe më keqe meqë nuk as shkolla shqipe dhe nuk përdorët flamuri shqiptar.

Derisa në Serbi nuk respektohen të drejtat e shqiptarëve, në komat e Kosovës që janë me popullatë shumicë serbe, qarkullojnë lirshëm të gjitha simbolet dhe përmendoret që përbëjnë identitet dhe histori të komunitetit të tyre.

Ndryshe, Kuvendi i përgjithshëm i këshillit Kombëtar Shqiptar, në të cilin po garojnë gjashtë lista shqiptare, përbëhet prej 15 anëtarëve./Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit