Gjonaj sqaron Zërin e Amerikës: Rikonfirmuat qasjen e gabuar

Mos i humb

Çështja e procedurave të testimit të punonjësve të rinj në policinë e burgjeve ka nxjerrë sërish përpara medieve këtë të mërkurë, ministren e Drejtësisë Etilda Gjonaj.

“Është çështje shumë e rëndësishme dhe jam e vendosur ta mbroj deri në fund me përgjegjësi maksimale, sepse besoj se ka qenë procesi më meritokratik, transparent dhe cilësor në historinë e sistemit penitenciar”, deklaroi ministrja Gjonaj.

Duke iu referuar qëndrimit të pandryshuar të “Zërit të Amerikës”, që reagoi edhe pas konferencës për shtyp të ministres së Drejtësisë të një dite më parë, Gjonaj tha:

“VOA nuk mori në konsideratë qëndrimin e Ministrisë së Drejtësisë dhe as argumentet që unë prezantova lidhur me këtë proces, por rikonfirmoi qasjen totalisht të gabuar lidhur me të dhënat e dosjes hetimore. U shpreh për prova që gjendeshin në dosjen hetimore, pa marrë parasysh se ato prova janë indicie, që do t’i japin mundësinë Prokurorisë për të hetuar më tej lidhur me çfarë kanë dalë nga përgjimet”.

Ministrja tha më tej se ato nuk kanë të bëjnë me procesin e rekrutimit të punonjësve të policisë së burgjeve, testim dhe procedurë e kryer në prill të vitit 2018.

“Besoj se do të ishte korrekte, që Zëri i Amerikës, në bazë të këtyre indicieve të kërkonte të verifikonte dosjen e procedurave të testimit të punonjësve të policisë së burgjeve, për të parë nëse interesimi legjitim i deputetëve për çështje të caktuara të personelit është përkthyer apo jo në mënyrë apo në shkelje të të drejtave të atyre që kanë marrë pjesë në testim dhe që u takonte vendi sipas ligjit dhe meritës së tyre”, deklaroi ministrja Gjonaj.

Gjonaj tha se pavarësisht çfarë kanë biseduar personat e përgjuar, interesimi i deputetëve nuk ka asnjë lidhje me procesin apo rezultatet e rekrutimit të punonjësve të policisë së burgjeve./Top Channel/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit