Gjykata Kushtetuese me ueb-faqe të re

Mos i humb

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Programin e USAID-it për Fuqizimin e Sistemit të Drejtësisë në Kosovë (JSSP), shënuan me një ceremoni solemne lansimin e ueb-faqes së re të gjykatës.

Me një fjalim rasti, pjesëmarrësve në këtë ceremoni iu drejtuan kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Arta Rama-Hajrizi, si dhe drejtori i Misionit të USAID-it në Kosovë, James Hope.

“Dizajnimi i ueb-faqes së re është konceptuar duke marrë për shembull karakteristikat dhe cilësitë e ueb-faqeve më moderne të institucioneve të drejtësisë në botë, ku në veçanti vlen përmendur mundësinë e re për kërkimin më të avancuar të vendimeve të Gjykatës. Besoj që tash e tutje, ueb-faqja e re do të përafrojë edhe më shumë publikun e gjerë dhe mediet me vendimet dhe me punën e Gjykatës Kushtetuese”, tha Hajrizi.

Me ndihmën e ueb-faqes së re, qytetarët e Kosovës do të kenë mundësi shumë më praktike për kërkim dhe hulumtim të avancuar të vendimeve të Gjykatës.

Kërkimin e avancuar e mundëson baza e të dhënave të vendimeve në ueb-faqe, e cila pjesërisht është projektuar sipas shembullit të ueb-faqes së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut me seli në Strasburg.

Mundësia e kërkimit të avancuar është projektuar edhe në seksionet e tjera të ueb-faqes, krahas mundësisë së abonimit të drejtpërdrejt në buletinet e praktikës ligjore, buletinet informativ, si dhe në vendimet e fundit të publikuara nga Gjykata.

Zhvillimi i ueb-faqes është financuar në tërësi nga Programi për Fuqizimin e Sistemit të Drejtësisë të USAID-it, që është njëri prej donatorëve dhe partnerëve më të rëndësishëm të Gjykatës Kushtetuese që nga themelimi i saj./Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit