Gjykata Themelore shkarkon kreun e BFI-së, emëron udhëheqës të ri

Mos i humb

Me një vendim të Gjykatës Themelore Shkupi 2, Skender Buzaku, ish-sekretar i Myftinisë së Shkupit, është paraqitur në Bashkësinë Fetare Islame (BFI) të Maqedonisë së Veriut si kreu i ri i këtij institucioni fetar, ndërkohë kryesia e BFI-së refuzon këtë vendim dhe ka thirrur një seancë të jashtëzakonshme.

Seanca e jashtëzakonshme mbahet në Fakultetin e Shkencave Islame në Kondovë të Shkupit, ndërkohë që selia qendrore e BFI-së ishte e rrethuar me forca policore të cilët shoqëruan Buzakun kur paraqiti vendimin në BFI.

Kryesia ende aktuale e BFI-së refuzon vendimin e Gjykatës Themelore, duke thënë se bëhet fjalë për dokumente të falsifikuara të paraqitura nga Buzaku në gjykatë për gjoja dorëheqjen Rexhepit dhe duke u arsyetuar se vendimi për shkarkim të kreut të BFI-së dhe emërim të një tjetri mund të merret vetëm nga Kuvendi i Riasetit të BFI-së, ndërkohë që Buzaku, ish-sekretar në Myftininë e Shkupit, thotë se vendimi për emërimin e tij ka kaluar nëpër rrugë ligjore përmes institucioneve shtetërore.

Në një prononcim për mediat në vazhdën e zhvillimeve, Muamer Veseli, anëtar i Riasetit të BFI-së, tha se Sulejman Rexhepi do të vazhdojë të jetë kryetar i BFI-së, pasi, siç theksoi ai, BFI ka rregullat e veta dhe se përgjegjës për shkarkimin e kryetarit të këtij institucioni nuk mund të jenë gjykatat e vendit.

“Sulejman Rexhepi nuk ka dhënë dorëheqje. Nuk mund ta shkarkojë gjykata, por mund ta shkarkojë vetëm Riaseti i BFI-së”, tha Veseli.

“Kjo fatkeqësi e cila është hera e dytë që ndodh në BFI në përmasa të tilla, është rezultat i mungesës së shtetit juridik”, tha më tej Veseli.

“Jam i indinjuar që ata të cilët janë të revoltuar, ata të cilët nuk mund të pranojnë realitetin e rezutlatit zgjedhor të zgjedhjeve presidenciale, indinjatën e tyre ta shprehin pikërisht në institucionin i cili përfaqëson mbi 900 mijë muslimanë në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, shtoi Veseli, duke bërë thirrje që organet shtetërore të kryejnë detyrën dhe të mos defokusohet opinioni nga, siç tha ai, skandalet dhe rezultatet zgjedhore.

Një incident tjetër brenda BFI-së u krijua edhe në vitin 2015, kur u tentua që kryetar i institucionit të emërohet ish-Myftiu i Shkupit, Ibrahim Shabani, i cili mbështetej nga Buzaku, atëkohë sekretar i Myftinisë së Shkupit, por më pas në një mbledhje të Riasetit të BFI-së ata u shkarkuan nga postet e tyre.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit