Gjysmëhëna e Kuqe Turke fiton çmim për dhënie të ndihmave humanitare

Mos i humb

Gjysmëhëna e Kuqe Turke mori Çmimin e Ndihmës Humanitare në Forumin e Donatorëve Globalë në Londër.

Duke folur për AA në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, presidenti i organizatës, Kerem Kinik, tha se çmimi nuk është “rastësi”, pasi Turqia strehon numrin më të madh të refugjatëve në botë.

“Filantropia është kaluar nga brezi në brez nga kombi turk si një trashëgimi e vërtetë”, tha Kinik.

Ai theksoi se çmimi i dhënë Gjysmëhënës së Kuqe Turke në fakt i është dhënë “gjithë njerëzimit dhe filantropëve”.

Kınık tha se dhimbjet dhe padrejtësitë e pësuara nga njerëzit e zhvendosur me forcë në shumë kënde të botës janë duke u rritur çdo ditë.

“Prandaj, edhe detyra jonë rritet çdo ditë”, tha ai.

Lidhur me situatën e vazhdueshme në veri të Sirisë, Kinik tha se deri në 4,5 milionë njerëz varen plotësisht nga ndihmat e ardhura nga Turqia.

– Kriza në Idlib

Kınık vuri në dukje se njerëzit në qytetin veriperëndimor të Sirisë, Idlib, janë bërë refugjatë më shumë se një herë.

“Për fat të keq, zonat me popullsinë më të dendur civile po bombardohen në Idlib”, tha ai.

Duke theksuar se njerëzit e pafajshëm, përfshirë fëmijët, janë duke u vrarë në operacionet e fundit në Idlib, Kınık i cilësoi bombardimet si të papranueshme.

“Thirrja jonë për gjithë botën është t’u japim fund menjëherë atyre sulmeve”, tha ai.

“Nëse do të kishte diçka që mund të arrihet me armë në Siri, ajo do të ishte arritur në tetë vitet e fundit…Një milion njerëz humbën jetën. Ekziston vetëm një pikë dalëse: arsyeja e shëndoshë dhe paqja”, theksoi Kinik.

“Numri i OJQ-ve, organizatave të OKB-së apo ofruesve të fondeve është për fat të keq shumë i ulët. Kjo, pra, bëhet detyra jonë. Ne paguajmë borxhin tonë për sirianët, gjyshërit e të cilëve u martirizuan në Çanakala. Ne do ta rrisim ndihmën tonë në këtë rajon aq sa mundemi”, tha kreu i Gjysmëhënës së Kuqe Turke.

– Paralajmërimi i valës së re të migrimit

Kınık tha se “asnjë vend, përfshirë edhe Turqinë, nuk do të mund të menaxhonte një valë të re të migracionit dhe kjo do të ndikonte jo vetëm në Turqi, por do të shkaktojë një lëvizje mosbesimi në shumë vende në botë, veçanërisht në Europë”.

Ai u shpreh se një valë e re migrimi do të shkaktonte kaos të ri që do të përhapej anembanë globit.

Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të mbajtur në Mansion House në Londër, Emine Erdogan, bashkëshortja e presidentit turk Recep Tayyip Erdogan, u nderua me Çmimin e Njohjes së Shërbimit Humanitar për punën e saj humanitare në lidhje me muslimanët e Arakanit.

Turkish Airlines gjithashtu mori Çmimin e Filantropisë Kreative për dërgimin e avionëve me furnizime ushqimore për të mbështetur një fushatë humanitare të quajtur Armata e Dashurisë për Somalinë./Rtv islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit