Grabar-Kitaroviç: Dy vite për zgjidhjen e çështjeve kufitare

Mos i humb

Presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviç, pas takimit me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare dy-ditore në Kroaci, tha se çështja e kufirit mes dy vendeve është një nga çështjet e pazgjidhura, e cila nëse brenda dy viteve nuk zgjidhet me rrugë dypalëshe, do të dërgohet para organeve ndërkombëtare gjyqësore.

“Çështja e kufirit është sigurisht një nga çështjet e pazgjidhura. Rekomandimi ynë është që të vazhdojmë negociatat rreth kësaj çështjeje në mënyrë bilaterale, edhe në dy vitet e ardhshme në frymën e miqësisë dhe respektit të ndërsjellë. Në qoftë se në këtë periudhë nuk dakordohemi mbi çështjet kufitare, atëherë të diskutojmë për dalje para organve ndërkombëtare gjyqësor”, tha Grabar-Kitaroviç.

Ajo njoftoi gazetarët se me Vuçiç ranë dakord për të filluar punimet rreth përshpejtimit të rindërtimit të linjës hekurudhore nga Zagrebi, përmes Vinkovcit-Tovarnik dhe Shid për në Beograd. Ajo shtoi se të dy vendet mund të përdorin gjithashtu fonde evropiane për këtë projekt.

Të dy presidentët u pajtuan që të vazhdojnë të diskutojnë rreth një sërë çështjesh të pazgjidhura në të ardhmen, duke theksuar se gjatë takimit të sotëm kanë hapur shumë çështje dhe se në shumë gjëra nuk janë dakorduar, kurse rreth disa të tjerave i kanë përafruar qëndrimet.

“Ne ramë dakord që të vazhdojmë të flasim dhe është me rëndësi të madhe që kemi rënë dakord për disa çështje të pazgjidhura që ato përfaqësojnë jo vetëm përgjegjësinë tonë politike dhe kombëtare, por edhe njerëzore e morale, përgjegjësinë etike për qytetarët e vendeve tona, sidomos për familjet, nënat, të gjithë atyre që kërkojnë fëmijët, familjarët e tyre, se do të bëjmë gjithçka që është e mundur dhe njerëzore për të ndihmuar në këtë proces, që çështja e të zhdukurve të zgjidhet sa më shpejtë që të jetë e mundur. Natyrisht, ky është një problem shumë i madh, pasi ka kaluar shumë kohë nga lufta”, tha Grabar-Kitaroviç.

Gjithashtu u diskutua edhe rreth minoriteteve, gjendjes së serbëve në Kroaci dhe të kroatëve në Serbi. Grabar-Kitaroviç theksoi se është bërë një hap përpara, duke u dakorduar, përpara këtij takimi, që të përfshihen përfaqësuesit e shoqatave të të zhdukurve dhe pakicave kombëtare në delegacionet zyrtare shtetërore, të cilat do të mund të shprehnin pikëpamjet e tyre.

Grabar-Kitaroviç dhe Vuçiç gjatë takimit ranë dakord që përmes punës së komisionve ndërshtetërore të vazhdojnë punimet për të gjitha çështjet gjyqësore që i tangojnë të dyja vendet.

Ajo shprehu gatishmërinë për ndihmën politike, teknike dhe çdo ndihme tjetër që ajo mund t’i japë Serbisë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.

Presidenti serb Vuçiç, pas takimit me presidenten kroate Kolinda Grabar-Kitaroviç në Zagreb, deklaroi se në Serbi duan të krenohen me zgjidhjen e problemeve që ka minoriteti kombëtar kroat dhe shprehu shpresën se Kroacia do t’i ndihmonte pakicës serbe në Kroaci me krenari të mbajnë emrat dhe mbiemrat e tyre serb.

“Kemi pikëpamje krejtësisht të ndryshme për çështjen e kufijve dhe ne do të përpiqemi të zgjidhim këtë me rrugë bilaterale në dy vitet e ardhshme. Nëse kjo nuk arrihet, atëherë ne do të shkojmë përpara organeve gjyqësore dhe të arbitrazhit”, tha Vuçiç.

Ai shtoi se në Zagreb ka ardhur për të diskutuar të gjitha çështjet e hapura të cilat janë të shumta.

Duke folur rreth të zhdukurve Vuçiç tha se është duke pritur disa informacione të caktuara sa i përket zgjidhjes së kësaj çështjeje. Ai njoftoi se në dy javët e ardhshme do të presë përfaqësuesit e shoqatave të personave të zhdukur. Vuçiç potencoi se është e nevojshme të shihet se çfarë ka në arkiva kur bëhet fjalë për informacione mbi të zhdukurit dhe se kjo çështje duhet të trajtohet dhe të zgjidhet.

Ai theksoi se Serbia dhe Kroacia duhet të kenë marrëdhënie shumë më të mira në të ardhmen.

Ai konfirmoi se Beogradi zyrtar është i interesuar në rindërtimin e hekurudhës drejt Zagrebit, e cila është me rëndësi kyçe për Kroacinë dhe Serbinë./Rtv islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit