Gratë refuzojnë mandatin e Halimit, biznesmeni Astrit Veliaj: Nuk i kam kontaktuar

Mos i humb

Një ditë pasi kishte konfirmuar se do ta pranonte mandatin e deputetit në Qarkun e Beratit, pas dorëheqjes së Eduard Halimit, demokratja Monika Qosja duket se ka ndryshuar mendje.

E kontaktuar përsëri nga Top Channel, përmes telefonit, kandidatja e fundit në listën e PD-së për Beratin në zgjedhjet e 25 qershorit nuk pranoi të fliste. Pyetjes tonë nëse i qëndron deklaratës së një dite më parë, Monika Qosja iu përgjigj shkurt duke thënë se nuk kishte një konfirmim zyrtar dhe më pas mbylli telefonin.

Përpara saj, renditet e 6-a në listën shumëemërore të PD-së, Juvina Jani, e cila njoftoi që të premten se nuk mund të pranonte mandatin për shkak se duhej të qëndronte pranë të birit për mjekim jashtë vendit. Të njëjtën gjë konfirmoi kur u kontaktua përsëri nga Top Channel, ndonëse as ajo nuk pranoi të fliste në kamera.

Dy zonjat renditen në fund të listës së demokratëve për Beratin, qark për të cilin selia blu ka paguar edhe gjobën për mos respektim të kuotave gjinore. Kjo bën që mandati i Eduard Halimit t’u shkojë fillimisht dy grave. Vetëm nëse ato refuzojnë, ndiqet renditja e meshkujve, ku i dyti në listë gjendet Astrit Veliaj.

Skema risjell në kujtesë për nga ngjashmëria atë që ndodhi me listën e socialistëve në Qarkun e Lezhës mandatin e kaluar, ku kandidatet Mejreme Delishi dhe Mirela Neli refuzuan mandatin që më pas i shkoi Arben Ndokës.

E njëjta gjë ndodhi në Laç me listën e demokratëve, ku ish-zv/trajneri i Kombëtares, Vasil Bicaj, refuzoi mandatin, gjë që mundësoi futjen në Parlament të Mhill Fufit.

Por Astrit Veliaj refuzoi çdo krahasim. As ai nuk pranoi të fliste në kamera, por gjatë një bisede telefonike i tha Top Channel se nuk kishte ushtruar asnjë lloj influence ndaj dy kandidateve Jani dhe Qosja që këto të refuzonin mandatin. Hera e fundit që kam kontaktuar me to ka qenë në fushatë, tha kandidati.

Astrit Veliaj pohoi se priste që KQZ të sqaronte nëse mandati i Halimit duhej t’i kalojë atij, në kushtet kur PD e ka paguar tashmë gjobën për mos respektim të kuotës gjinore. Top Channel kontaktoi me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, që konfirmoi se pavarësisht gjobës së paguar, mandati duhet t’i kalojë si fillim dy zonjave dhe vetëm nëse ato e refuzojnë, atëherë Astrit Veliaj mund të bëhet deputet./Top Channel/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit