Greqi, Erdogan viziton myslimanët në Trakë

Mos i humb

Në ditën e dytë të qëndrimit të tij në Greqi, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka vizituar privatisht krahinën lindore të Trakës, aty ku banon edhe minoriteti mysliman, për të cilin ka konfliktuar publikisht në takimet e tij me homologun e tij grek, Pavlopoulos, dhe me kryeministrin Tsipras.

Edhe në qytetin e Komotinisë, pas lutjes në xhaminë “Kir Mahala” Erdogan u është drejtuar banorëve duke i quajtur bashkëkombas, ndërsa shumë prej tyre kanë borhoritur për të duke e quajtur “lideri ynë”.

Më pas, Erdogan ka vizituar një shkollë myslimane dhe në vazhdim ka drekuar me eksponentë të minoritetit, pjesa e fundit e vizitës së tij në Greqi.

Pavarësisht se Erdogan ka ripërsëritur qëndrimin e tij duke i quajtur minoritarët e Trakës si turq dhe jo myslimanë, siç i konsideron Athina, në një “non paper” të shpërndarë orët e fundit, Athina zyrtare e konsideron positive vizitën e tij në Greqi për disa arsye:

Së pari, vërtet Erdogan ka kërkuar publikisht rishikim të Traktatit të Lozanës, por ka marrë përgjigjen e prerë nga presidenti Pavlopoulos dhe kryeministri Tsipras se ajo marrëveshje është guri i themelit në marrëdhëniet dypalëshe, sepse garanton paqen jo vetëm mes dy vendeve, por edhe në rajon.

Së dyti, përveç marrëveshjeve për bashkëpunim ekonomik do të rifillojnë negociatat midis dy vendeve për shelfin kontinental në Egje, duke respektuar të drejtën ndërkombëtare.
Së treti, presidenti turk ka njohur për herë të parë publikisht se minoriteti mysliman në Trakë është i ndarë në 3 grupime, ai me origjinë turke, romake dhe rome.
Së katërti, do të rifillojnë negociatat për një zgjidhje të çështjes qipriote.

Gjithsesi, siç komentohet nga të gjitha mediet vendase, konferenca për shtyp midis Erdoganit dhe Tsiprasit nuk ishte parë kurrë në Greqi, pasi në më të shumtën e saj doli përtej kufijve të diplomacisë, por gjithashtu për herë të parë dy fqinjët i thanë hapur, ato për të cilat nuk bien dakord./Top Channel/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit