“Haftari nuk nënshkroi marrëveshjen, sepse nuk dëshiron të ndajë pushtetin në Libi”

Mos i humb

Sipas një eksperti turk për marrëdhëniet ndërkombëtare, gjenerali renegat libian, Khalifa Haftar, në mënyrë të papritur braktisi bisedimet mbi armëpushimin në Libi për të mbrojtur një strategji të menduar mirë mbi fushën e betejës.

Profesori Ferhat Pirinççi, ekspert për marrëdhëniet ndërkombëtare dhe politikë të jashtme në Universitetin Uludağ, duke folur për Anadolu Agency (AA) tha se arsyet e Haftarit për largimin nga bisedimet në Moskë mund të jenë një veprim taktik dhe strategjik.

“Haftari nuk dëshiron të humbasë avancimin e tij në jug të Tripolit. Sepse teknikisht, një tërheqje e mundshme në rajon për shkak të armëpushimit, mund të kuptohet si një humbje për forcat e Haftarit”, tha Pirinççi.

Sipas tij, po ashtu ekzistojnë edhe dy politika strategjike midis arsyeve të largimit të tij. Duke theksuar avancimin ushtarak të Haftarit në fushën e betejës, ai tha se Haftari nuk dëshiron të ndajë pushtetin në Libi.

“Haftari ishte i gatshëm për të pushtuar plotësisht Tripolin me fitoret e tij ushtarake në terren, prandaj ai nuk dëshironte të jetë vetëm një partner i një sistemi të ri të mundshëm. Ai dëshiron të gjitha fitimet e tij”, theksoi Pirinççi.

Si hap të dytë strategjik, tha Pirinççi, Haftari nuk është një aktor i pavarur në rajon, prandaj ai duhej të bind partnerët e tij strategjikë, të tilla si Franca, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabia Saudite.

“Siç kuptohet, Haftari ishte i detyruar të braktisë bisedimet për shkak të aleatëve të tij, përkundër përpjekjeve të Rusisë”, tha ai.

Pirinççi tha se kjo qasje do të funksionojë kundër Haftarit dhe sjellja e tij agresive do të ndryshojë perceptimet për të në arenën ndërkombëtare.

Ai tha se Rusia do të vazhdojë të kryejë presion mbi Haftarin që t’i përmbahet armëpushimit të përkohshëm që filloi të dielën, duke shtuar se, “Nëse Rusia nuk arrin ta bëjë këtë, ka shumë të ngjarë që forcat e Haftarit të sulmojnë përsëri”.

Kjo mund ta bëjë Qeverinë e Pajtimit Kombëtar (GNA) të Libisë, e cila gëzon njohjen e Kombeve të Bashkuara (OKB), të shfaqet si zëri i arsyeshëm në Libi.

“Largimi i Haftarit nga tryeza e bisedimeve i dha disa përparësi GNA-së dhe mbështetësve të saj. Nëse forcat e Haftarit humbin pushtetin dhe pozicionin e tyre në terren, aktorët lokalë që mbështesin Haftarin mund të kritikojnë politikat e tyre dhe mund të ndryshojnë strukturën e forcave të Haftarit”, tha Pirinççi.

Ai këshilloi Turqinë të ndjekë një strategji me “dy-degëzime” pas bisedimeve të dështuara.

“Nga njëra anë, Turqia duhet të rrisë presionin diplomatik ndaj Haftarit duke marrë më shumë mbështetje politike nga Rusia, Italia, Tunizia, Katari dhe Algjeria. Nga ana tjetër, Turqia duhet t’i japë më shumë ndihmë ushtarake forcave të GNA-së për të zbrapsur forcat e Haftarit”, tha ai.

Më 12 janar, palët ndërluftuese të konfliktit libian njoftuan një armëpushim në përgjigje të thirrjes së presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan dhe atij rus, Vladimir Putin.

Të hënën, palët në konfliktin libian u mblodhën në Moskë për të diskutuar një armëpushim që synonte t’u japë fund armiqësive në Libi dhe të fillojë një dialog politik.

Megjithatë, Haftar refuzoi të nënshkruajë marrëveshjen dhe u largua nga takimi pasi Fayez al-Sarraj, kreu i GNA-së, nënshkroi marrëveshjen.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit