Hahn: Shkëmbim territoresh, nëse duan liderët e Kosovës e Serbisë

Mos i humb

Komisioneri për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn ka folur rreth një marrëveshje të mundshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Hahn, ishte në Washington javën e kaluar për të diskutuar për Lindjen e Mesme, Ukrainën dhe Ballkanin Perëndimor me homologët e tij të SHBA.

Në këtë kontekst, siç shkruan The Washington Post, ai ka folur edhe rreth marrëveshjes ndërmjet Greqisë dhe asaj që quhet sot Maqedonia Veriore, duke thënë se bashkë, SHBA dhe BE-ja u treguan të suksesshme.

Sipas tij, në luftërat e viteve 1990 dhe pasojat e tyre, Uashingtoni ishte në “vendin e shoferit” në rajon, jo Brukseli. Sot, Hahn tha, e kundërta është e vërtetë. Shtetet e Bashkuara janë shumë mbështetëse për Bashkimin Evropian dhe në rajon, tha ai, duke shtuar, “mendoj se ata janë mjaft të lumtur që ne jemi sot në krye të rajonit”.

Dhe shpresa e Hahn është që zgjidhja e mosmarrëveshjes të emrit të Maqedonisë do të shërbejë si pararendës ndaj zgjidhjeve të konflikteve të tjera, duke përfshirë edhe në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, transmeton “EO”.

Megjithatë, duke folur rreth një marrëveshje të mundshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht rreth mundësisë së “korrigjimit të kufijve”, Hahn theksoi se një marrëveshje ligjërisht detyruese midis dy do të mbulonte fushat përtej kufijve dhe se “një element themelor në një marrëveshje të ardhshme duhet të jetë respektimi i të drejtave të pakicave”.

“Tani për tani, askush nuk mund të parashikojë se çfarë do të ishte një rezultat final”, citohet të ketë thënë ai, duke shtuar se edhe “një shkëmbim i mundshëm i territorit mund të jetë si pjesë e saj – nëse palët dëshirojnë”.

“Parakushti i vetëm që kemi ngritur është se çdo lloj marrëveshje dypalëshe duhet të kontribuojë për më shumë paqe dhe stabilitet në rajon”. Gjithsesi, një marrëveshje politike që vjen me koston e të tjerëve, tha Hahn, do të ishte e papranueshme për Bashkimin Evropian.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit