Hapet në Elbasan Panairi i Produkteve Hallall

Mos i humb

Hapet në Elbasan Panairi i Produkteve Hallall

I dyti për nga lloji, Panairi i Produkteve Hallall, këtë herë ka trokitur në qytetin e Elbasanit. Pas nisjes së historisë së tij me panairin e madh të Tiranës, organizatorët e këtij panairi këtë herë kanë zgjedhur të takohen me konsumatorin e një nga qytetet më të mëdha në Shqipëri, Elbasanin.

Me rastin e inaugurimit të këtij panairi i cili organizohet në sallën e sportit të këtij qyteti dhe që do zgjasë 3 ditë, të pranishëm ishin dhe Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, Myftiu i këtij qyteti, Agim Duka, Myftiu i qytetit të Librazhdit, Ardit Hoxhallaku, përfaqësues të bizneseve dhe vizitorë të shumtë.

‘Është i pari i këtij lloji dhe më i madhi ku demostrohet prania e bizneseve të kësaj kategorie. Jam shumë i kënaqur dhe ju uroj mirëseardhjen’, ka thënë Kryetari i Bashkisë, Sejdini në fjalën e tij dhe më pas ka vizituar bizneset e pranishme në këtë panair.

Ndërkohë edhe Myftiu i Elbasanit, Duka ka shprehur falenderimet për organizimin e këtij panairi duke vënë në dukje dhe rëndësinë e promovimit të produkteve Hallall.

Nga ana tjetër organizatori i këtij evenimenti, Fabian Dajcaj ka folur për kuptimin e fjalës ‘hallall’ duke thënë se ajo nënkupton prodhimin dhe tregtimin e një produkti sipas vlerave islame dhe pa hile.

Dajcaj ka theksuar gjithashtu se ky panair është jo vetëm për popullsinë muslimane, por për të gjithë popullin dhe se synimi i fjalës ‘hallall’ është shërbim më i mirë dhe cilësor për klientët. Ai ftoi qytetarët e Elbasanit që të vizitojnë këtë panair pasi nuk do të mbeten të zhgënjyer për nga përmbajtja.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit