Haradinaj në Shkup, takohet me homologun e tij Zaev

Mos i humb

 

 

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili sot mori pjesë në Samitin Digjital të Ballkanit Perëndimor në Shkup të Maqedonisë, zhvilloi një takim me kryeministrin e këtij vendi, Zoran Zaev.

“Kosova është e interesuar të ketë raporte të mira me fqinjët e saj dhe Maqedonia është një shembull i mirë i bashkëpunimit ndërshtetëror”, është shprehur Haradinaj pas takimit bilateral me homologun e tij Zaev.

Në një njoftim nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, thuhet se gjatë këtij takimi janë diskutuar temat si nismat rajonale, projektet infrastrukturore, bashkëpunimi politik dhe diplomatik si dhe partneriteti ekonomik. Haradinaj me këtë rast ka përmendur edhe rëndësinë që Kosova dhe Maqedonia kanë në menaxhimin e integruar të kufijve, marrëveshjen e roamingut, marrëveshjet e tjera tregtare dhe projektet infrastrukturore.

“Maqedonia ka treguar një partneritet korrekt në raport me Kosovën dhe ka shënuar progres të madh në përfshirjen e shqiptarëve. Si Kosovë jemi të përkushtuar që ta vazhdojmë këtë partneritet, për të mirën e qytetarëve tonë”, ka thënë Haradinaj, theksohet në njoftim.

Nga ana tjetër, Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, ka falënderuar kryeministrin Haradinaj për gatishmërinë e treguar, sipas tij, për një komunikim efektiv ndërshtetëror. Ai ka treguar vendosmërinë e vendit të tij për të vazhduar partneritetin me Kosovën në shumë fusha.

“Të dy Kryeministrat u dakorduan që në takimin e parë të dy qeverive, i cili po përgatitet, të përafrojnë agjendat e tyre të përbashkëta politike dhe ekonomike, duke përgatitur një numër marrëveshjesh bilaterale dhe duke u fokusuar në zhvillimin e marrëveshjeve ekzistuese”, thuhet në komunikatë.

Kujtojmë se sot Haradinaj mori pjesë në Samitin Digjital të Ballkanit Perëndimor, që për herë të parë po organizohet në Shkup të Maqedonisë. Ai me këtë rast mbajti edhe një fjalim, ku shprehu se organizimi i këtij samiti, është një hap tejet i rëndësishëm për të çuar përpara vizionin e integrimit dhe bashkëpunimit në mes të vendeve të Ballkanit dhe tregut digjital evropian.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit