Haradinaj priti në takim ministren e Mbrojtjes së Shqipërisë

Mos i humb

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj priti sot në takim ministren e Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë, Olta Xhaçka, me të cilën ka biseduar për zhvillimet aktuale politike dhe bashkëpunimin bilateral ndërmjet dy shteteve, me fokus të veçantë mbrojtjen dhe sigurinë.

Në një njoftim nga Zyra e Kryeministrit bëhet e ditur se kryeministri Haradinaj gjatë takimit ka vlerësuar lart kontributin e Shqipërisë në sigurinë rajonale dhe globale si anëtare e NATO-s, që ka ndikim edhe për sigurinë e Kosovës.

“Kosova llogarit në mbështetje të vazhdueshme tek përvojat shqiptare në procesin e anëtarësimit në këtë institucion shumë të rëndësishëm të sigurisë globale”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë dhe mundësinë e thellimit të mëtejmë në të gjitha fushat e interesit të përbashkët.

Ndërsa, ministrja e Mbrojtjes së Shqipërisë, Olta Xhaçka, ka vlerësuar lartë dinamikën e re qeverisëse të kryeministrit Haradinaj, duke thënë se: “Shqipëria do të jetë mbështetëse e fuqishme për Republikën e Kosovës, për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të saj, duke e mbështetur shtetin e ri në proceset e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, përfshirë edhe NATO-n”.

Gjatë takimit është biseduar edhe për mbledhjen e përbashkët të të dy qeverive e cila do të mbahet në Korçë të Shqipërisë, për arritjen e marrëveshjeve konkrete dhe zbatimin e tyre, me qëllim të thellimit të marrëdhënieve bilaterale, thuhet në njoftim./Rtv Islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit