Haradinaj s’ka fuqi të shkarkojë Sefajn e Gashin

Mos i humb

Flamur Sefaj e Driton Gashi mund të mos paraqiten në punë, por asnjëri nuk është i shkarkuar nga detyra. Kryeministri, Ramush Haradinaj nuk ka pasur fuqi që ta shkarkojë asnjërin pavarësisht se është ndier i anashkaluar nga ta me rastin e arrestimit të gjashtë shtetasve turq dhe deportimit të shpejtë të tyre në Turqi.

Shefi i Qeverisë i ndodhur në “terr informativ” është përpjekur që të tregojë supremaci ndaj ministrit të Brendshëm dhe shefit të AKI-së, duke e kërkuar vetëm lirimin e tyre nga përgjegjësia. Njohës të fushës juridike kanë thënë se ky term nuk njihet me ligj.

“Një zyrtar i lartë, ose shkarkohet nga detyra ose pezullohet nga puna kur vlerësohet se ka bërë shkelje të detyrës zyrtare”, ka thënë një jurist i njohur që nuk ka dashur t’i përmendet emri në gazetë.

Ai ka përkujtuar se termi “lirim nga përgjegjësia” është shpikur gjatë qeverisjes së Isa Mustafës në rastin kur ish-ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani u përball me akuza për shkelje të detyrës zyrtare.

“Isa Mustafa në vend se ta shkarkonte ministrin, e liroi atë nga përgjegjësia, kështu që Agani nuk e konsideronte vetën të shkarkuar”, ka shtuar ai për AkivPress.

Haradinaj e ka të vështirë që ta tregojë “grushtin e hekurt” pasi është i kurthuar me marrëveshje dhe me aspekte ligjore si në raport me Sefajn, ashtu edhe me Gashin. Në rastin e Sefajt, pengesë i del marrëveshja e koalicionit qeverisës me AKR-në. Vullnetshëm, ai ka pranuar që të zhvishet nga fuqia që ia jep Kushtetuta, në rastin e përzgjedhjes së anëtarëve të kabinetit qeverisës dhe të shkarkimit të tyre. Si të drejtën e propozimit ashtu edhe të shkarkimit, ai e ka deleguar te kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli.

Në AKR mohojnë se Sefaj është shkarkuar.

“Nuk është e vërtetë se AKR ka pranuar shkarkimin e ministrit Flamur Sefaj”, ka thënë zëvendëspresidenti i kësaj partie, Agim Bahtiri. Ai ka paralajmëruar se AKR ditëve në vazhdim do të marrë qëndrim përfundimtar për çështjen e ministrit në fjalë. Në partinë e Pacollit shkojnë edhe një hap përtej. Ish deputetja, Myzejene Selmani kërkon që Haradinaj të marrë masa edhe ndaj ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri.

“Pse duhet vetëm Sefaj të bëhet kurban. Përgjegjësia bie edhe mbi ministrin e Drejtësisë”, ka thënë Selmani.

Haradinaj megjithatë e ka më të lehtë që ta shkarkojë Sefajn se sa shefin e AKI-së. Në bazë të ligjit, shefi i Inteligjencës është këshilltar i Presidentit. Veç tjerash, ligji e specifikon qartë se shkarkimi i drejtorit të AKI-së bëhet sipas procedurës së emërimit. E emërimi i shefit të AKI-së bëhet nga presidenti dhe kryeministri.

Duke u mbështetur në këto pengesa, Haradinaj është shtrënguar të kërkojë lirimin nga detyra të këtyre dy zyrtarëve të lartë, por jo edhe shkarkimin e tyre. Kjo shihet qartë në formulimin e vendimit të tij.

“Në bazë të kompetencave kushtetuese, si Kryeministër i Republikës së Kosovës kam kërkuar Lirimin e menjëhershëm nga përgjegjësia e Drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, z. Driton Gashi dhe Lirimin e menjëhershëm nga përgjegjësia e Ministrit të Punëve të Brendshme, z. Flamur Sefa”, thuhet në vendimin e Haradinajt.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi deri më sot nuk e ka aprovuar një kërkesë të tillë. Përkundrazi, ai kërkuar që derisa të mos zbardhet rasti, të mos paragjykohet askush. Në këto rrethana, si Sefaj ashtu edhe Gashi vazhdojnë të jenë në faqet zyrtare si shefa të institucioneve. Në Ministrinë e Punëve të Brendshme, figuron se ministër është Flamur Sefaj, ndërsa në AKI, figuron se drejtor është Driton Gashi.

Pavarësisht kësaj, Haradinaj është akuzuar nga presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan për sjellje jo të drejtë në raport me këta dy zyrtarë. Haradinaj nuk u është përgjigjur kërcënimeve të tij, por në vend të tij këtë e kanë bërë kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli dhe zëvendëskryeministri, Fatmir Limaj. Të dy kanë thënë se për kryeministrin e Kosovës vendos populli i saj, e askush tjetër./Mesazhi/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit