Hidhet gurthemeli i centralit të parë bërthamor të Turqisë

Mos i humb

Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan dhe homologu i tij rus Vladimir Putin nëpërmjet një video konference në Ankara morën pjesë në ceremoninë e hedhjes së gurthemelit të centralit të parë bërthamor të Turqisë Akkuyu në provincën jugore Mersin.

Në fjalën e tij, presidenti turk Erdogan tha se hedhja e gurthemelit të Centralit Bërthamor Akkuyu është moment historik për zhvillimin e Turqisë dhe bashkëpunimin me Rusinë në fushën e energjisë.

Presidenti turk theksoi se me funksionalizimin e reaktorit të parë të centralit në vitin 2023, Turqia do të hyjë në mesin e vendeve që përdorin energji bërthamore.

“Me funksionalizimin e reaktorit të parë të Centralit Bërthamor Akkuyu në vitin 2023, Turqia do të hyjë në mesin e vendeve që përdorin energji bërthamore. Në këtë mënyrë, 100-vjetorin e themelimit të republikës sonë do ta kurorëzojmë me një vepër historike në fushën e energjisë”, tha Erdogan.

Aktualisht në botë funksionojnë 450 cenrale bërthamore në 31 shtete, kurse 55 janë në fazën e ndërtimit.

Presidenti Erdogan po ashtu theksoi se vendi i tij është i vendosur të vazhdojë rritjen e bashkëpunimit me Rusinë në çështjet rajonale.

Nga ana tjetër, presidenti rus Putin deklaroi se centrali bërthamor turk Akkuyu do të jetë i sigurtë dhe ekologjik.

“Ky projekt inovativ është maksimalisht i vlefshëm dhe i rëndësishëm”, tha Putin, duke shtuar se me këtë central po krijohet sektor i ri në Turqi.

“Ky është hap i ri. Është shkallë e re në zhvillimin e ekonomisë turke”, tha presidenti rus.

Pas fjalimeve të dy liderëve, Erdogan kërkoi nga ministri i Zhvillimit i Turqisë Lütfi Elvan të shtypë butonin për hedhjen e gurthemelit.

Në ceremoni të pranishëm ishin zyrtarë të lartë shtetërorë të Turqisë, përfshirë ministrin e Jashtëm Mevlüt Çavusoglu, ministri i Energjisë Berat Albayrak, ministri i Zhvillimit Lütfi Elvan dhe ministra të tjerë, shefin e ushtrisë turke Hulusi Akar, si dhe zëdhënësi i Presidencës së Turqisë Ibrahim Kalin.

Ndërkaq, në delegacionin rus po ashtu morën pjesë një numër i madh ministrash, përfshirë ministrin e Jashtëm Sergey Lavrov, si dhe përfaqësues nga sektori i energjisë.

Ceremonia u zhvillua pasi Erdogan paraprakisht priti me ceremoni zyrtare homologun rus Putin në Kompleksin Presidencial në Ankara.

Centrali bërthamor Akkuyu do të ndërtohet nga Agjencia Ruse e Energjisë Bërthamore Rosatom dhe do të përbëhet nga katër njësi, secili me kapacitet prej 1.200 megavatësh.

Në fazën e parë të ndërtimit janë planifikuar dy njësi me kapacitet total prej 2.400 megavatësh.

Me një kosto investimi prej rreth 20 miliardë dollarësh, centrali do të punojë tetë mijë orë në vit.

Sipas vlerësimeve paraprake, 35-40 për qind e ndërtimit të centralit do të ndërmerren nga kompanitë turke që potencialisht mund të ofrojnë vlera të shtuara për ekonominë prej rreth 6-8 miliardë dollarë.

Akkuyu do të prodhojë 35 miliardë kilovatë energji elektrike kur të arrijë kapacitetin e plotë, duke mbuluar më shumë se dhjetë përqind të nevojave të Turqisë për energji elektrike ose ekuivalent me kërkesën e Stambollit për energji elektrike.

Reaktori i parë pritet të jetë operacional në vitin 2023, ndërkohë pritet që centrali të funksionojë me kapacitet të plotë deri në vitin 2025.

Gjatë periudhës kulmore të ndërtimit të tij do të punësohen rreth 10.000 njerëz, ndërsa rreth 3.500 njerëz do të pajisen me mundësi punësimi në fazën e funksionimit.

Për më tepër, 248 studentë turq janë arsimuar në Rusi për të punuar në central. Tridhjetë e pesë nga këta studentë u diplomuan muajin e kaluar pas gjashtë viteve e gjysmë arsim.

Marrëveshja ndërqeveritare për centralin Akkuyu midis Rusisë dhe Turqisë u nënshkrua në vitin 2010./Rtv Islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit