Hutbeja e parë e xhumasë pas 86 vitesh: Ajasofja, vendi i respektit ndaj besimeve dhe përvojës së bashkëjetesës

Mos i humb

Kryetari i Çështjeve Fetare të Turqisë (Dijanet), Ali Erbaş, i cili lexoi hutben e xhumasë me rastin e hapjes së Ajasofjes për faljen e namazit, tha se kjo xhami është vendi i respektit ndaj besimeve dhe përvojës së bashkëjetesës, raporton Anadolu Agency (AA).

Erbaş lexoi hutben e namazit të xhumasë, që është namazi i parë pas rihapjes së Ajasofjes pas 86 vitesh, periudhë kjo në të cilën xhamia shërbeu si muze.

Më 10 korrik, gjykata e lartë administrative e Turqisë anuloi vendimin e vitit 1934 të qeverisë së atëhershme turke për ta kthyer objektin në muze, ndërsa më pas, përmes një vendimi presidencial, ajo i rikthye në xhami dhe iu dorëzua Kryesisë së Çështjeve Fetare.

“Të nderuar muslimanë! Mirësia dhe bekimet e Allahut, paqja dhe bereqeti i xhumasë qofshin mbi ju! Në këtë kohë të bekuar, ne po dëshmojmë një moment historik së bashku në këtë vend të shenjtë. Xhamia Ajasofja po bashkohet me xhematin në ditën e tretë të muajit të bekuar Dhul-Hixhe, muajit të Haxhit, kur hija e Kurban Bajramit tashmë ka rënë mbi ne. Malli i pasardhësve të çliruesve (Evlad-ı Fatihan) që u shndërrua në plagë të thellë në zemër po merr fund. Falënderimi dhe lavdërimi i pafund qoftë për Zotin e Plotfuqishëm”, tha Erbaş në leximin e hutbes.

“Sot është dita kur përsëri jehojnë tekbiret, dëshmia e njëshmërisë së Zotit dhe salavatet në kupolat e Ajasofjes, dhe kur ezani ngritet nga minaret e saj. Sot është ditë e ngjashme me atë ditë 70 vjet më parë, kur 16 muezinë nga 16 ballkonet e minareve të Xhamisë së Sulltan Ahmetit kumbuan qiellin me thirrejt Allahu Ekber, ditën kur pas 18 viteve ndarje, minaret tona u ribashkuan me ezanin”, theksoi ai.

Erbaş tha se sot është dita kur besimtarët qëndrojnë në namaz në këmbë (kijam) me lot gëzimi, në ruku me përkushtim dhe në sexhde me falënderim, dhe një ditë e nderit dhe e përulësisë.

“Falënderimet dhe lavdërimet qofshin për Zotin e Madhëruar, i cili na bashkoi në një ditë kaq të nderuar, na takoi në xhami, vendet më të shenjta në fytyrën e tokës, dhe na pranoi në Xhaminë e Madhe Ajasofja. Përshëndetjet qofshin për të dashurin Muhamed Mustafanë, i cili dha myzdhen për çlirimin (fet’h), duke thënë: ‘Konstantinija patjetër do të çlirohet. Sa i mirë është komandanti që do ta çlirojë atë, dhe se e mirë është ajo ushtri'”, tha Erbaş, duke iu referuar çlirimit të Stambollit në vitin 1453 nga ana e Sulltan Mehmet Fatihut.

Ai theksoi se Ajasofja është një nga objektet më të rëndësishme të diturisë, urtësisë dhe adhurimit në historinë njerëzore, me një jetëgjatësi prej më shumë se 15 shekujsh.

Erbaş tha se Ajasofja është shenjë e çlirimit dhe amanet i Sulltan Mehmet Fatihut.

“Sulltan Mehmet Fatihu, këtë faltore, që ishte shumë e dashur për të, e regjistroi në vakëf për të qenë xhami deri në Ditën e Kijametit, dhe ua la amanet besimtarëve. Sipas besimit tonë, prona e vakëfit është e paprekshme”, shtoi ai.

“Andaj nga ajo ditë e deri më sot, Ajasofja është vatra e shenjtë jo vetëm e vendit tonë, por e gjithë umetit të Muhamedit”, u shpreh Erbaş.

Ai nënvizoi se Ajasofja është vendi ku botës sërish iu shfaq mëshira e madhe e Islamit, pasi pas çlirimit të Stambollit, Sulltan Mehmet Fatihu u tha të mos frikohen banorëve që ishin strehuar brenda saj dhe shqetësoheshin per fatin e tyre.

“Nga ky çast, mos u frikoni për lirinë dhe jetën tuaj. Askujt nuk do t’i plaçkitet prona, askush nuk do të persekutohet, askush nuk do të ndëshkohet për shkak të fesë së tij. Për këtë arsye, Ajasofja është bërë vendi i respektit ndaj besimeve dhe përvojës së bashkëjetesës”, tha Erbaş, duke cituar fjalët e sulltanit osman.

Siç deklaroi ai, hapja e Ajasofjes për faljen e namazit është nevojë për besnikërinë ndaj arritjeve historike, dëshmi për vazhdimin e ngritjes së civilizimit islam përkundër të gjitha vështirësive dhe litar shpëtimi për të gjithë besimtarët e persekutuar dhe “faltoret e pikëlluara” në tokë, përfshirë Mesxhid al-Aksanë.

“Hapja e Ajasofjes për falje është vendosmëria për të ndërtuar një të ardhme të fortë me fuqinë shpirtërore që kombi ynë i lavdëruar, i cili mban besimin dhe dashurinë ndaj atdheut mbi gjithçka tjetër, e merr nga rrënjët e tij”, tha Erbaş.

“Në civilizimin tonë, xhamitë tona janë burimi i unitetit dhe qëndrueshmërisë sonë, vëllazërisë, besimit dhe paqes. Xhamitë tona janë vende ku takohemi, njihemi dhe solidarizohemi si materialisht, ashtu edhe shpirtërisht. Zoti ynë i Plotfuqishëm thotë si më poshtë për ata që kujdesen për xhamitë dhe faltoret: ‘Faltoret e Allahut i mirëmbajnë vetëm ata që besojnë Allahun, Ditën e Fundit, falin namazin, japin zeqatin dhe që nuk i frikohen askujt, përveç Allahut. Këta janë ata që janë në rrugën e drejtë'”, shtoi Erbaş, duke cituar vargje nga Kurani.

Duke theksuar se në shumë rajone të botës, ekzistojnë xhami që sulmohen për shkak të islamofobisë që po rritet në mënyrë të rrezikshme, mbyllen e madje në disa vende edhe bombardohen dhe se miliona muslimanë persekutohen, Erbaş tregoi shembullin e Sulltan Mehmet Fatihut me Ajasofjen dhe ruajtjen e saj dhe i bëri thirrje njerëzimit t’i thonë “ndal” retorikës, akteve dhe persekutimeve antiislame.

“Si besimtarë që e konsiderojmë kuptimin e Ajasofjes si qëllim të lartë dhe amanet të shenjtë, detyra jonë më e madhe sot është të punojmë për mbizotërimin e mëshirës dhe tolerancës, paqes, qetësisë dhe mirësisë në gjithë botën. Ky është edhe qëllimi i dërgimit të Profetit të Islamit, emri i të cilit është paqe dhe shpëtim, dhe profetëve të tjerë të nderuar. Është detyrë e jona të punojmë ditë e natë që mirësia, e drejta dhe drejtësia të mbizotërojnë gjithmonë në tokë, të jemi shpresa e shpëtimit për njerëzimin, i cili po përjeton dëshpërim në vorbullën e problemeve të mëdha, të jemi garancia e drejtësisë në vendet e përfshira nga mizoria dhe padrejtësia, lotët dhe humbja e shpresës”, tha Erbaş, duke i ftuar të gjithë njerëzit në “drejtësi, paqe dhe mëshirë”.

“Sot ne kemi nevojë më shumë se kurrë t’i bashkojmë zemrat tona me natyrën tonë, të integrojmë mendjen me ndërgjegjen, ta takojmë njeriun me njeriun, ta pajtojmë njeriun me natyrën”, tha ai.

Në fund të hutbes, Erbaş porositi se Ajasofja, ashtu sikurse edhe xhamitë e tjera në vend, do të jenë të hapura për “të gjithë robërit e Allahut”, pa bërë asnjë dallim.

“Udhëtimi drejt besimit, adhurimit, historisë dhe soditjes në atmosferën shpirtërore të Xhamisë Ajasofja inshallah do të vazhdojë pandërprerë”, tha në hutben e xhumasë kreu i Dijanetit turk, Ali Erbaş.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit