Hysi pret delegacionin kinez, kërkon njohjen e Kosovës

24
0

Zëvendëskryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Vasilika Hysi, priti sot në Kryesinë e Kuvendit delegacionin e Komisionit Kombëtar të Konferencës Politike Konsultative të Popullit Kinez, i kryesuar nga z. Zhang Qingli, i ndodhur në Shqipëri me ftesë të Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi.

Z. Qingli falënderoi për ftesën dhe mikpritjen palën shqiptare dhe shprehu vlerësime për përpjekjet e Shqipërisë për të ruajtur dhe forcuar marrëdhënien kino-shqiptare, sidomos mbështetjen shqiptare për çështje të rëndësishme të qeverisë kineze. Ai theksoi se qëllimi i vizitës synon rritjen e besimit politik reciprok dhe forcimin e shkëmbimeve të mëtejshme ndërmjet KKPK-së kineze dhe Kuvendit të Shqipërisë. Kryesuesi i delegacionit të KKPK-së i dha rëndësi faktit që gjendemi në prag të 70-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike dypalëshe dhe u ndal te aktivitetet që do të ndërmerren nga të dy palët.

Kina, sipas z. Qingli, i kushton rëndësi të madhe marrëdhënies tradicionale me Shqipërinë dhe do që ta rrisë më tej këtë nivel bashkëpunimi. “Kina është partneri i katërt i Shqipërisë në tregti. Kina është e gatshme të bëjë përpjekje për të shfrytëzuar mirë nismën “Një brez një rrugë”, bashkëpunimin “16+1” për të eksploruar potencialin e bashkëpunimit në të gjitha fushat: infrastrukturë, bujqësi, turizëm, kulturë, arsim, shëndetësi, radio-televizion, për të nxitur në shkallë më të lartë këto marrëdhënie”,- u shpreh në takim z. Zhang Qingli, Zëvendëskryetar i Komisionit Kombëtar të Konferencës Politike Konsultative të Popullit Kinez.

Zëvendëskryetarja e Kuvendit, znj. Vasilika Hysi i dha rëndësi në fjalën e saj forcimit të dialogut dhe bashkëpunimit mes dy vendeve dhe parlamenteve përkatëse. Zëvendëskryetarja e Kuvendit të Shqipërisë u shpreh se vendi ynë i plotëson kushtet për të eksportuar më tepër produkte bujqësore, e në këtë drejtim, në shkëmbimet tregtare bujqësore Kina dhe Shqipëria mund ta shtrinë më tej marrëdhënien e tyre. Zëvendëskryetarja Hysi vlerësoi mbështetjen e dhënë nga Kina ndaj projekteve të ndryshme në energji, turizëm, nivel vendor dhe bashki të ndryshme. Për znj. Hysi Nisma “16+1” dhe “Një brez, një rrugë” përbëjnë një mundësi të mirë për të zgjeruar dhe forcuar bashkëpunimin ekonomik dhe investimet kineze në Shqipëri dhe rajon. Ajo vlerësoi si mjaft të rëndësishëm bashkëpunimin ne fushën e turizmit, në drejtim të afrimit të një numri më të madh turistësh kinezë, por edhe në drejtim të përthithjes së investimeve kineze në sektor. Znj. Hysi kërkoi nga delegacioni kinez që në kuadër të forcimit të bashkëpunimit qeveria e Republikës Popullore të Kinës të marrë në konsideratë heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë.

Zëvendëskryetarja e Kuvendit u ndal në fjalën e saj edhe te çështja e njohjes së pavarësisë së Republikës së Kosovës. “Ne kuadër te sigurisë ne Ballkan dhe zhvillimit te Ballkanit, krahas zhvillimeve, investimeve, projekteve, do të doja të përsërisja edhe një herë kërkesën e bërë gjatë vizitës në Kinë vitin e kaluar, për kontributin e Kinës në njohjen e shtetit të ri të Kosovës. Nisma “16+1” dhe “1 brez, 1 rrugë”, do të forcojnë ekonominë në rajonin e Ballkanit, por njëkohësisht vlerësojmë shumë të rëndësishme edhe njohjen e shtetit të Kosovës dhe bashkëpunimin me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”,- përmbylli fjalën e saj në takim znj. Vasilika Hysi.

Znj. Hysi shoqërohej në takim nga deputetët e Partisë Socialiste: z. Bashkim Fino, në cilësinë e kryetarit të grupit parlamentar të miqësisë me Kinën dhe znj. Eglantina Gjermeni dhe z. Niko Peleshi. Deputetët patën mundësinë gjatë takimit të shprehnin edhe ata konsideratat dhe sugjerimet e tyre konkrete në drejtim të forcimit dhe zgjerimit të marrëdhënieve dypalëshe. Pas takimit, delegacioni i KKPK-së kineze dhe grupi parlamentar i miqësisë Shqipëri-Kinë do të merrnin pjesë në një drekë zyrtare pune.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here