IHAK thirrje për lirimin e fëmijës palestinez të arrestuar brutalisht

Mos i humb

Lëvizja për të Drejtat e Njeriut dhe Drejtësi (iHAK) ka bërë “thirrje urgjente” për lirimin e 16 vjeçarit palestinez Fevzi al-Xhunejdi, i cili u fotografua duke u arrestuar në mënyrë brutale dhe me sy të lidhur nga ana e ushtarëve izraelitë gjatë protestave të fundit kundër vendimit të qeverisë amerikane për njohjen e Kudsit si kryeqytet të Izraelit.

Në një deklaratë me shkrim nga iHAK, shoqatë turke, rikujtohet dhuna e fundit izraelite ndaj palestinezëve dhe arrestimi i të riut al Xhunejdi, fotografitë e të cilit bënë xhiron e botës dhe i cili u shndërrua në simbol të Kudsit.

“Më 7 dhjetor 2017, një grup njësitesh ushtarake izraelite plotësisht të armatosura në qytetin Al-Halil sulmuan Fevzi al Xhunejdin, një 16-vjeçar i cili po kalonte nëpër rrugë, dhe filluan ta rrihnin”, thuhet në deklaratë.

Siç theksohet nga shoqata, Fevzi al-Xhunejdi është një fëmijë i cili u rrah mizorisht nga një numër i madh ushtarësh izraelitë në mënyrë të përsëritur në tokë dhe u shkel, ndërsa më pas iu lidhën sytë dhe u çua fillimisht në një postbllok ushtarak dhe më pas në burgun e Oferit në Izrael.

Ngjarja u fotografua nga agjencitë e lajmeve, të cilat i ndanë fotografitë me bashkësinë ndërkombëtare.

Deklarata po ashtu bën të ditur se nëna Fevziut vuan nga kanceri pa shpresë të trajtimit dhe babai i tij është i shtrirë në shtrat nga sëmundja.

“Fevziu përpiqet të kujdeset për familjen e tij duke bërë punë të dorës, për të cilën ai duhet të lë shkollimin”, thuhet në deklaratën e iHAK.

Shoqata rikujton se Izraeli në mënyrë sistematike i ndalon dhe arreston fëmijët palestinezë në Kuds dhe në Bregun Perëndimor. Siç thuhet, në vitin 2015, janë arrestuar gjithsej 2.634 fëmijë palestinezë, nga të cilët 22 ishin vajza.

Në vitin 2016 gjithsej 887 fëmijë palestinezë, nga të cilët 32 vajza, dhe në vitin 2017 gjithsej 700 fëmijë palestinezë deri më tani.

“Fëmijët palestinezë të ndaluar dhe të arrestuar nga Izraeli u nënshtrohen formave të ndryshme të torturës dhe trajtimit mizor, siç janë lidhja e syve dhe dhuna fizike në formën e prangosjeve, goditjeve, urisë, sharjeve dhe fyerjeve, duke i kërcënuar ata me lëndim të nënave të tyre, ngacmim, detyrim për të nënshkruar dokumente në hebraisht dhe presion psikologjik”, potencohet në deklaratë.

Më tej, shoqata u bën thirrje vendeve për lirimin e Fevzi al-Xhunejdit dhe çdo fëmije tjetër palestinez të arrestuar nga ana e forcave izraelite.

“iHAK u bën thirrje të gjitha vendeve pjesëmarrëse në Konventën e Kombeve të Bashkuara për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, si dhe të gjitha organizatave ndërkombëtare, shtetërore dhe civile për të drejtat e njeriut, organizatave për të drejtat e fëmijëve dhe të gjithë personave me ndërgjegje, ta mbështesin çështjen tonë për ta siguruar lirimin e Fevzi al-Xhunejdit dhe çdo fëmije tjetër palestinez të arrestuar nga Izraeli”, thuhet në thirrjen e shoqatës./Rtv islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit