Investimet për infrastrukturën, duhen 1.2 mld euro në vit. Qeveria jep vetëm gjysmën

Mos i humb

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim përllogarit se Shqipëria ka nevojë për 6 miliardë euro investime në pesë vitet e ardhshme për të ndërtuar një infrastrukturë si ajo e vendeve të zhvilluara.

Në raportin e fundit të tranzicionit BERZH vëren se për periudhën 2018-2022, Shqipëria duhet të investojë çdo vit 1.2 miliardë euro ose rreth 11 për qind të prodhimit kombëtar në projekte publike për të mbyllur hendekun që ka me vendet e zhvilluara.

Në vitin 2018, qeveria parashikon të investojë 655 milionë euro ose gati dy herë më pak nga sa BERZH përllogarit se janë nevojat e vendit. Kjo do të thotë se në 5 vitet e ardhshme, Shqipëria do të ketë një deficit gati 3 miliardë euro për investimet publike.

Por ku kërkohen këto investime? Sipas BERZH, gati gjysma e shifrës, pra rreth 600 milionë euro në vit duhet të shkojnë si investime në sektorin e energjisë, si në modernizimin e rrjetit të shpërndarjes ashtu dhe në ndërtimin e burimeve të reja energjetike.

Rreth 40 për qind ose 450 milionë euro në vit nevojiten në ndërtimin e rrugëve, ndërsa pjesa e mbetur duhet të shkojnë si investime për ujësjellsat dhe sektorin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit.

Përballë pamundësisë së buxhetit për të mbështetur investime kaq të mëdha, qeveria ka nisur një program koncesionesh me vlerë 1 miliardë euro, përmes të cilit synon të financojë projektet publike me kapital privat. Por programi është shndërruar në një temë të nxehtë të debatit politik, pasi opozita ka kërkuar ndalimin e menjëhershëm të tij duke e cilësuar si një instrument për pastrimin e parave të drogës./Top Channel/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit