Irani: Nuk rinegociojmë marrëveshjen bërthamore

Mos i humb

Ministri i Punëve të Jashtme të Iranit Xhevad Zarif tha se nuk do të rinegociojnë marrëveshjen për programin bërthamor.

Ministri Zarif në një video të publikuar në Youtube ka folur në lidhje me marrëveshjen bërthamore, fati i të cilit do të përcaktohet me vendimin e presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, më 12 maj.

Duke rikujtuar se marrëveshja është nënshkruar në mes të pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së (SHBA, Britania e Madhe, Kina, Franca, Rusia), Gjermanisë dhe Iranit, Zarif tha se, “Edhe SHBA ishte obliguar që t’i heq sanksionet dhe të lehtësojë tregtinë me Iranin. Edhe anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së janë pajtuar se marrëveshja obligon të gjitha palët”.

Zarif po ashtu thekson se Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (UAEA) ka konfirmuar 11 herë se Irani ka përmbushur detyrimet që dalin nga marrëveshja.

“Përkundër kësaj, SHBA-të kanë shkelur vazhdimisht marrëveshjen duke bërë presion despotik ndaj shteteve tjera, sidomos ata që bëjnë tregti me Iranin”, thotë Zarif.

Shefi i diplomacisë iraniane tha se nuk është i pranueshëm propozimi i disa shteteve për hapjen e negociatave për kapacitetin e mbrojtjes dhe të ndikimit rajonal të Iranit për të mbajtur presidentin e SHBA-ve në kuadër të kësaj marrëveshjeje.

“Edhe një herë ta sqarojmë këtë. As nuk do të dorëzojmë sigurinë tonë tek të tjerët, as nuk do të rinegociojmë marrëveshjen të cilën e kemi zbatuar me qëllime të mira, as nuk do t’i shtojmë diçka asaj”, thotë Zarif.

Marrëveshja për programin bërthamor ishte nënshkruar në vitin 2015 mes Iranit dhe shteteve P5+1 (SHBA, Britania e Madhe, Kina, Franca, Rusia dhe Gjermania) në periudhën e Barack Obamës si president i SHBA-ve.

Vendimi përfundimtar i Trump-it në lidhje me marrëveshjen e nënshkruar pritet të shpallet më 12 maj.

Ndërkaq, Franca ka thënë se duhet t’i qëndrohet besnik marrëveshjes me Iranin ose të mund të arrihet një marrëveshje e re bërthamore./Rtv Islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit