Italia raporton 604 vdekje nga COVID-19, ulet numri i infektimeve

Mos i humb

Italia ka njoftuar 604 raste të reja të vdekjeve nga koronavirusi i ri (COVID-19), duke e çuar numrin e përgjithshëm të vdekjeve në 17.127, që është numri më i lartë në botë.

Megjithatë, Italia ka regjistruar rritjen më të ulët të numrit të të infektuarve, që mbështet shpresat e qeverisë se është arritur kulmi me infeksionet.

Numri i të infektuarve është rritur për 0,9 për qind nga dita e djeshme, duke arritur në 94.067, rritje e cila është më e ulta që nga fillimi i përhapjes së virusit në Itali. Numri i personave të shëruar gjithashtu ka filluar të rritet, duke arritur në 24.392, ndërsa numri i pacientëve që trajtohen në repartet e kujdesit intensiv është ulur për të katërtën ditë me radhë.

Epiqendra e përhapjes së sëmundjes në Itali vazhdon të jetë rajoni verior i Lombardisë, ku deri më tani janë regjistruar 9.484 viktima.

Në betejën e saj të vazhdueshme për të frenuar përhapjen e sëmundjes, qeveria italiane ka zgjatur bllokimin thuajse total, sipas të cilit është ndaluar shumica e aktiviteteve të prodhimtarisë dhe bizneset në Itali deri të paktën më 13 prill.

Megjithatë, autoritetet janë të shqetësuara se moti i mirë, bashkë me festën e Pashkëve, do të bëjë që më shumë njerëz të dalin jashtë, duke shtuar rreziqet e rifillimit të rritjes së numrit të të infektuarve.

“Në këto pak ditë përpara Pashkëve, mos harroni asnjëherë se ky virus tashmë ka marrë më shumë se 16.500 jetë njerëzore”, tha Domenico Arcuri, komisari i posaçëm i qeverisë për urgjencën.

“Ju lutem, në orët e ardhshme mos e hiqni këtë numër nga mendja juaj”, shtoi ai.

Arcuri gjithashtu theksoi se Italia po hyn në një fazë të gjatë të tranzicionit, duke shpresuar se masat e karantinës do të mund të hiqen menjëherë pas Pashkëve.

“Të keni kujdes nga iluzionet optike, nga mrekullitë e rrezikshme. Ne nuk jemi disa hapa para daljes nga urgjenca”, shtoi Arcuri.

Kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte, vazhdimisht është shprehur se qeveria do të fillojë të zbusë masat vetëm pasi shkencëtarët të aprovojnë një gjë të tillë, duke mos përmendur një datë specifike.

Dje, qeveria miratoi një pako të re të masave me qëllim të ndihmës së bizneseve të të gjitha përmasave, për t’u përballur me ndikimin e rëndë nga pandemia, që rrezikon të zhytë ekonominë e brishtë të Italisë në një recesion masiv.

Pakoja e re e urgjencës ofron likuiditet të ri dhe kredi bankare me vlerë më shumë se 400 miliardë euro për kompanitë e dëmtuara nga përhapja e sëmundjes apo nga masat e bllokimit.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit