Ivanov: Nuk do të votoj në referendumin e 30 shtatorit

Mos i humb

Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov, deklaroi se nuk do të dalë në votimet për referendumin e 30 shtatorit, sepse siç tha, dy herë ka fituar besimin e qytetarëve për të mos lejuar ndryshime në Kushtetutë dhe për të mos ndryshuar emrin kushtetues të vendit.

Në fjalimin e tij në një event të organizuar nga “Diaspora e Bashkuar e Maqedonisë në Detroit”, të publikuar në ueb faqen e presidencës, Ivanov u ka thënë të pranishmëve se në javët e fundit në Republikën e Maqedonisë erdhën zyrtarë të lartë të huaj, për të bindur qytetarët e Maqedonisë të votojnë në referendum dhe të pranojnë marrëveshjen greke. Megjithatë, tha Ivanov, harrohet se pa reforma reale, pa luftuar korrupsionin, pa luftuar elitizmin partiak dhe klientelizmin, nuk ka anëtarësi në Bashkim Evropian dhe në NATO.

Ivanov i tha diasporës maqedonase në SHBA se “edhe të pranohet marrëveshja e dëmshme greke dhe të ndryshohet Kushtetuta e Maqedonisë, anëtarësimi në BE dhe NATO nuk vjen me automatizëm”.

Ai u tha të pranishmëve se pothuajse çdo përfaqësues i huaj që ka takuar, e ka pyetur se cili është qëndrimi i tij në lidhje me referendumin mbi marrëveshjen, duke dhënë përgjigjen:

“Dy herë kam fituar besimin e qytetarëve për të mos lejuar ndryshime në Kushtetutë, për të mos ndryshuar emrin kushtetues, për të mos pranuar idetë dhe sugjerimet që do të rrezikonin identitetin kombëtar, kombin maqedonas, gjuhën maqedonase dhe modelin e bashkëjetesës në Maqedoni. Unë nuk devijoj nga premtimi im. Prandaj, më 30 shtator, nuk do të dal në votim”, thekson Ivanov.

Më 30 shtator, qytetarët e Maqedonisë do të prononcohen në referendumin që është pjesë e marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë, e cila parasheh ndryshimin e emrit të shtetit në Republika e Maqedonisë së Veriut dhe që paraqet kushtin kryesor për anëtarësimin e vendit në NATO dhe çeljen e negociatave me BE-në./Rtv Islam/

 

 

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit