Izraeli ka shkatërruar mbi 10.000 dokumente dhe libra të historisë palestineze

Mos i humb

Gjatë sulmeve ajrore izraelite në Gazë në fillim të muajit maj, është bombarduar një nga qendrat më të rëndësishme kulturore në të cilën ruhen dokumente të rëndësishme të historisë palestineze. Për shkak të bombardimeve izraelite janë shkatërruar më shumë se 10.000 libra dhe dokumente të rëndësishme.

Qendra për hulumtime dhe dokumentacion “Abdullah al-Hurani” ka vepruar pranë Organizatës Çlirimtare Palestineze (PLO). Ndërtesa katërkatëshe e cila gjendej në lagjen Er-Rial në Gazë, është rrafshuar për toke gjatë sulmeve izraelite më 4 maj.

Qendra 22 vite ka punuar në dokumentimin e të dhënave për historinë dhe kulturën palestineze, ndërsa këto ditë në rrjedhë kanë qenë edhe përgatitjet për botimin e dy librave me këtë temë.

Drejtori i përgjithshëm i Qendrës, Nahid Zekut, në deklaratën për Anadolu Agency (AA) tha se bëhet fjalë, para se gjithash, për një qendër kombëtare hulumtuese, e cila ka organizuar një numër të madh të konferencave dhe seminareve shkencore për refugjatët palestinezë.

Zekut kujton se kjo qendër ka ruajtur edhe literaturë të rëndësishme për historinë palestineze dhe arabe.

“Me bombardimin e kësaj qendre, Izraeli ka shkatërruar më shumë se 10.000 libra, dokumente dhe arkiva të tjera, duke përfshirë ekzemplarë shumë të rrallë të dokumenteve të caktuara. Konsiderojmë se sulmi mbi këtë qendër është sulm ndaj kulturës palestineze”, tha Zekut.

Ai nënvizoi se ndonëse ndërtesa e qendrës është shkatërruar plotësisht, ideja e kësaj qendre ende jeton dhe se do të rindërtohet.

Pas sulmit ndaj Qendrës, Ministria e Kulturës e Palestinës lëshoi një kumtesë ku thuhej se ky sulm paraqet krim sistematik lufte që synon shkatërrimin e kujtesës së popullit palestinez.

Qendra për Kërkime dhe Dokumentime “Abdullah al-Hurani” u themelua në vitin 1997 me vendimin e udhëheqësit palestinez të asaj kohe Jasser Arafat.

Në sulmet ajrore izraelite në Gaza më 4 dhe 5 maj të këtij viti, të paktën 25 palestinezë u vranë, duke përfshirë tre gra shtatzëna dhe dy foshnje dhe më shumë se 150 persona u plagosën.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit