Izraeli rrëzon dhjetëra shtëpi në Kudsin Lindor

Mos i humb

Forcat izraelite filluan rrëzimin e dhjetëra ndërtesave në Kudsin Lindor, mes zemërimit palestinez dhe kundërshtimit ndërkombëtar.

Sipas banorëve, buldozerët e shoqëruar nga qindra ushtarë izraelitë në agim kaluan në lagjen Wadi Homs në qytetin e pushtuar dhe filluan të rrëzojnë disa ndërtesa në zonë.

“Ndërtesat janë shtëpi e 350 palestinezëve, më shumë se gjysma e tyre janë fëmijë”, tha një banor që foli për AA në kushte anonimiteti.

Ushtria izraelite e shpalli rajonin zonë ushtarake, duke penguar njerëzit dhe gazetarët të arrijnë në atë.

Autoritetet izraelite thonë se ndërtesat janë ndërtuar pa leje.

Izraeli rrëzon dhjetëra shtëpi në Kudsin Lindor

“Rrëzimet përbëjnë një shkelje të rëndë të Konventës së Katërt të Gjenevës dhe krimeve të luftës në bazë të Statutit të Romës së Gjykatës Ndërkombëtare Penale”, tha në një deklaratë Saeb Erekat, sekretar i përgjithshëm i Komitetit Ekzekutiv të Organizatës për Çlirimin e Palestinës (PLO).

Ai i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që “të ndërhyjë menjëherë për të ndaluar rrëzimin e shtëpive dhe për ta mbajtur Izraelin përgjegjës për shkeljet e përsëritura të së drejtës ndërkombëtare”.

Në muajin qershor, Gjykata e Lartë e Izraelit hodhi poshtë një peticion nga pronarët e ndërtesave për të anuluar prishjet. Afati i fundit për banorët për braktisjen e shtëpive skadoi të premten.

Javën e kaluar, koordinatori humanitar i Kombeve të Bashkuara (OKB), Jamie McGoldrick dhe zyrtarë të tjerë të OKB-së i bënë thirrje Izraelit që të ndalë rrëzimin e shtëpive.

Bashkimi Evropian (BE) po ashtu kritikoi rrëzimet e shtëpive, duke theksuar se pengojnë në “qëndrueshmërinë e zgjidhjes me dy shtete dhe perspektivën për një paqe të qëndrueshme”.

Izraeli e pushtoi Kudsin Lindor, ku dhe gjendet kompleksi i xhamisë Al-Aksa, gjatë Luftës Arabo-Izraelite të vitit 1967.

Në një lëvizje që asnjëherë nuk u njoh nga komuniteti ndërkombëtar, Izraeli aneksoi të gjithë qytetin në vitin 1980, duke e cilësuar atë si “kryeqytet të përjetshëm dhe të pandarë” të shtetit të vetëshpallur të hebrenjve.

Kudsi mbetet qendra e mosmarrëveshjes së zgjatur për dekada të tëra në Lindjen e Mesme, me palestinezët që shpresojnë që një ditë Kudsi Lindor të shërbejë si kryeqyteti i shtetit palestinez.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit