Javët e pambarimta të Demarkacionit: kur do përfundojë kjo sagë?

Mos i humb

Nga Blendi Gashi

Edhe pse u dërgua tre herë në Kuvendin e Kosovës, marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi nuk doli në votim, e kjo për arsye të mungesës së votave.

Ka muaj që partitë në pushtet, PDK-AAK-NISMA paralajmëruan se kjo marrëveshje do ratifikohet, por ajo nuk ndodhi.

Si edhe në javët e kaluara, edhe këtë javë politikanët e partive në pushtet po premtojnë se Demarkacioni do ratifikohet, edhe pse asnjë prej tyre nuk e thotë se votat janë siguruar, përveç asaj se po punohet për të arritur një konsensus të gjerë.

Kreu i Kuvendit, Kadri Veseli paralajmëroi të hënën mbrëma në një intervistë për televizionin publik (RTK) që seanca për këtë çështje do të mbahet gjatë kësaj jave, pa treguar ditën e mbajtjes së séances.

Edhe zv.kryeministri, njëherit ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli e ka thënë të njëjtën gjë.

“Jemi lodhur me deklaratat e politikanëve sot, nesër, unë ju kam thënë qysh moti se në javën e dytë të marsit”, deklaroi Pacolli.

Po ashtu edhe zv.kryeministri Enver Hoxhaj, është shprehur i bindur se seanca do të mbahet këtë javë, duke thënë se janë janë afër arritjes së konsensusit mes partive, siç ka thënë, edhe me Listën Serbe, parti e cila dy herë përmes komunikatave është shprehur kategorike se nuk e voton marrëveshjen.

“Të gjithë partnerët që jemi në qeveri, partitë politike, që përfaqësojnë qytetarët në Kosovë dhe partitë politike që përfaqësojnë komunitetet serbe dhe jo serbe do të votojnë pro kësaj marrëveshje. Jem afër një konsensusi të plotë politik me partnerët në Qeveri, por në të njëjtën kohë edhe me deputetë tjerë të cilët do të duhet ta votonin këtë marrëveshje”, tha Hoxhaj për mediat kosovare.

Kurse sa i përket caktimit të ditës për thirrjen e seanës, Hoxhaj tha se kjo i takon kryetarit dhe Kryesisë së Kuvendit “Meqënëse është një seancë ku duhet një mbështetje e deputetëve mbi 80 vota dhe meqenëse duhet një koordinim se kush mund të jetë prej deputetëve në Prishtinë ose nuk mund të jetë”.

Edhe zv.kryeministri tjetër Fatmir Limaj ka deklaruar se pret që kjo temë të mbyllet këtë javë.

“Unë pres që këtë javë të mbyllet. Do të doja që këtë javë të mbyllet. Kemi punuar fort këto ditë për t’i siguruar votat”, ka deklaruar Limaj duke mohuar që Lista Serbe të ketë kërkuar diç në këmbim të votave për Demarkacionin.

Për dallim nga zëvendësit e tij, kryeministri Ramush Haradinaj nuk ka dashur të thotë nëse këtë javë do ratifikohet marrëveshja.

“Ende s’kam çfarë të them në lidhje me këtë dhe se në momentin që do të ketë diçka të re, do të informojmë”, ka pohuar ai.

Përkundër deklaratave të Veselit e zv.kryeministrave, Kryesia e Kuvendit ende nuk ka mbajtur një mbledhje për caktimin e seancër për Demarkacionin.

Kujtojmë se partia opoziare, LDK ka thënë se do ta votojë këtë marrëveshje ndërkohë Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të mbajë qëndrim kundër (por që Veseli dhe Haradinaj po mundohen të bindin deputetët anti-Kurti ta japing votën pro), kurse Lista Serbe si pjesë e koalicionit qeverisës e cila ka munguar në tri seancat e Demarkacionit ka thënë se nuk do të votojë. /tesheshi.com/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit